
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë bërë thirrje tek mësimdhënësit që t’i kthehen procesit mësimor në shkolla, raporton Gazeta10.
Kreministri Kurti ka thënë të enjten se Qeveria me pakon e fundit ka mbështetur qytetarët dhe mësimdhënësit.
“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit në shkolla, meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsim, nuk zhvillohet ekonomia pa mësim dhe edukim. Ne i kemi marrë masat e nevojshme sociale si asnjë qeveri më parë. Ministrja e Arsimit e ka shpjeguar pa numër herë sesi ne kemi ndarë mjetë për mësimdhënësit që kanë sëmundje të rënda e mos humbje të punës. Tash ne e kemi pakon për përballje me inflacionin ku përfshihen edhe mësimdhënësit”, ka deklaruar Kurti.
Njësoj ka kërkuar edhe Nagavci duke thënë se humbja e mësimit është e dëmshmë për nxënësit.
“Edhe nga këtu, bëj thirrje tek mësimdhënësit që të jenë pranë nxënësve – ashtu që të mos humbet asnjë orë mësimi, pasi dëmet e shkaktuar janë shumë të mëdha për nxënësit”, ka thënë Nagavci./Gazeta10.