Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Nga “grupi i vdekjes” për të dalë të ‘gjallë’, misioni i Shqipërisë në “EURO 2024”

Gazeta10
04 December 2023 - 17:54

Është vetëm hera e dytë që Shqipëria kualifikohet në Evropian, mirëpo për dallim prej herës së parë, kombëtarja shqiptare do ta ketë më të vështirë kësaj here.

Të besuarit e Sylvinhos ndonëse ishin në vazon e dytë të shortit për “EURO 2024”, përfunduan në grupin më të vështirë, të ashtuquajtur “Grupi i Vdekjes”.

Në grupin B, së bashku me Shqipërinë do të jenë edhe Spanja, Italia e Kroacia, të cilat vetëm kur të lexosh emrat e tyre të ngjallin “frikë”.

Nëse flasim për përvojë, atëherë pa dyshim që këto tri kombëtare qëndrojnë më mirë se “kuqezinjtë”.

Flasim për secilën nga pak, duke filluar nga kampioni në fuqi i këtij turneu, Italia.

Italia ka marrë pjesë 10 herë në “EURO”, duke arritur të triumfojë në dy raste. Një herë në vitin e largët 1968 dhe një herë në turneun e fundit të organizuar në 12 qytete të Evropës. Italia doli kampione e Evropës në “Wembley” pasi mposhti në penalti Anglinë.

Performancat tjera të Italisë nëpër Evropiane janë këto:

1980: Vendi i katërt

1988: Gjysmëfinale

1996: Fazë të grupeve

2000: Vendi i dytë

2004: Fazë të grupeve

2008: Çerekfinale

2012: Vendi i dytë

2016: Çerekfinale

Në krahasim me kampionate evropiane, Italia sukses më të madh ka në ato botërore. “Azzurët” janë katër herë kampion të botës, me herën e fundit në vitin 2006, kur mposhtën në finale Francën.

Këto dy kombëtare janë përballur katër herë në histori, me Italinë që ka shënuar katër fitore.

Italia siguroi biletën për në Gjermani pasi u pozicionua e dyta në tabelë me 14 pikë, duke siguruar plasmanin në “EURO” tek në ndeshjen e fundit ndaj Ukrainës, të cilën e barazoi pa gola.

Në anën tjetër, edhe Spanja ka performanca të mira në kampionatin evropian.

Spanja ka 11 paraqitje në Evropiane përgjatë historisë, me “Gjermani 2024” që është e 12-ta.

“Stuhia e Kuqe” është tri herë kampione e kampionatit evropian. Në herën e parë triumfoi në vitin 1964, gjersa dy herët tjera festoi në vitin 2008 dhe 2012.

Performancat e Spanjës përgjatë çdo Evropiani që është kualifikuar:

1980: Fazë të grupeve

1984: Vendi i dytë

1988: Fazë të grupeve

1996: Çerekfinale

2000: Çerekfinale

2004: Fazë të grupeve

2016: 1/8 e finales

2020: Gjysmëfinale, vendi i tretë

Spanja po ashtu është edhe një herë kampione e botës, duke festuar në vitin 2010, pasi mposhti në finale Holandën pas vazhdimeve.

Në ndeshje direkte, Spanja qëndron më mirë ndaj Shqipërisë, duke triumfuar 8 herë në 8 ndeshje.

Spanja gjeti kualifikimin për në kampionatin evropian të vitit të ardhshëm, pasi doli e para me 21 pikë, në një grup me Skocinë, Gjeorgjinë, Norvegjinë e Qipron.

Ndërkohë, Kroacia qëndron më zbehtë në aspektin e trofeve në këtë kompeticion.

Kroatët asnjëherë nuk ka dalë kampione në këtë turne madhor, mirëpo këto janë performancat e kësaj kombëtareje në “EURO”:

Nga viti 1960 deri më 1992, Kroacia ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, andaj si shtet i pavarur ka vetëm gjashtë paraqitje.

1996: Çerekfinale

2004: Fazë të grupeve

2008: Çerekfinale

2012: Fazë të grupeve

2016: 1/8 e finales

2020: 1/8 e finales

Kroacia së fundmi ishte pjesë e kampionatit botëror “Katar 2022” ku zuri vendin e tretë, gjersa edhe në atë paraprakin shkonte në finale dhe zinte pozitën e dytë.

Kroacia e Shqipëria asnjëherë s’kanë luajtur me njëra-tjetrën, andaj përballja në “EURO 2024” do të jetë e para.

Kroatët u kualifikuan për në “EURO 2024” pasi dolën vetëm të dytit në një grup me Turqinë, Uellsin, Armeninë e Letoninë.

Kundërshtarët e vështirë nuk duhet ta ndalin kombëtaren shqiptare nga ëndrra për kualifikim tutje nga grupi, edhe pse do të jetë “mision i pamundur”.

Shqipëria synon ta bëj një “Kosta Rika të dytë”, ku këta të fundit kalonin si të parët nga një grup tejet i vështirë me Anglinë, Italinë dhe Uruguajin në Botërorin “Brazili 2014”.

Ndeshjen e parë, Shqipëria e luan ndaj Italisë më 15 qershor 2024“Signal Iduna Park”Dortmund, për t’u nisur mandej në drejtim të Hamburgut19 qershor për ndeshjen ndaj Kroacisë. Ndeshja e fundit në grup për kombëtaren kuqezi do të jetë ajo ndaj Spanjës në Dusseldorf 24 qershor.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.