
Shqipëria e vitit 2016 i bëri krenar të gjithë shqiptarë anembanë botës me pjesëmarrjen e saj në “EURO 2016”.
Fitorja me Portugalinë, ajo në tavolinë me Serbinë, dy fitoret tjera me Armeninë ishin kënaqësi për sy e shumë ndjesi e ëmbël për t’u përjetuar.
Kështu, Shqipëria siguronte kualifikimin në këtë turne madhor, duke u përballur me tri kombëtare shumë të forta e të papërshtatshme.
“Kuqezinjtë” në dy ndeshjet e para u mposhtën nga Zvicra e Franca.
Mirëpo, në ndeshjen e tretë, Shqipëria siguroi fitoren e madhe që gëzoi zemrat e çdo shqiptari nga çdo cep i botës.
Goli i Armando Sadikut në portën e Rumanisë bëri që zëri i shqiptarëve të jehojë jo vetëm në stadiumin “Groupama Stadium” por në çdo shtëpi që ka shqiptar.
22 lojtarë ishin të ftuar për këto ndeshje, me secilin që luante rolin e tyre. Dikush në fushë e dikush në dhomat e zhveshjes për të mbajtur moralin e skuadrës në nivel.
Mirëpo, se ku ndodhën këta lojtarë pas paraqitjeve së tyre historikë, mund ta mësoni në shkrimin e mëposhtëm.
Portierë të ftuar për “EURO 2016” ishin: Etrit Berisha (Lazio), Alban Hoxha (Partizani) dhe Orges Shehu (Skënderbeu).
Etrit Berisha, tashmë 34-vjeçar është pjesë e Empolit në Serie A, duke qenë pikë kyçe e kësaj skuadre.

Alban Hoxha (27-vjeçar) është ende pjesë e Partizanit, ku këtë sezon po kompleton vitin e tij të 10-të në këtë skuadër.

Orges Shehu (38-vjeçar) u pensionua nga futbolli aktiv dhe u angazhua si trajner dhe fitoi titullin kampion në Superiore me Tiranën në sezonin 2021/22.

Kalojmë te mbrojtësit. Lorik Cana atëbotë ishte pjesë e Nantes në Francë si 32-vjeçar. Tash si 40-vjeçar është i pensionuar nga futbolli dhe momentalisht është i “papunë”.

Mërgim Mavraj në anën tjetër ishte pjesë e Koln, mirëpo tash është i pensionuar nga futbolli, me aventurën e fundit të kaluar në Turqi.

Arlind Ajeti që atëherë ishte pjesë e Empoli si 22-vjeçar, tash mbron ngjyrat e CFR Cluj dhe në disa ndeshje të ktyre kualifikuesve për “EURO 2024” ishte në formacionin bazë të Shqipërisë.

Ansi Agolli është po ashtu lojtari i radhës që gjeti pensionimin nga futbolli aktiv përgjatë viteve. Më 2016 ishte pjesë e Qarabag, gjersa klubi i fundit para pensionimit ishte NY Cosmos.

Elseid Hysaj është njëri ndër të vetmit që vazhdon paraqitjen me kombëtaren e Shqipërisë, madje është kandidat për t’u paraqitur edhe në “EURO 2024”. Hysaj atë vit ishte te Napoli. Ligën nuk e ka ndërruar veçse tash është te ekipi i Lazios.

Naser Aliji që në vitin 2016 paraqitej me Baselin, tashmë luan te Voluntari në elitën e futbollit rumun.

Ndërkohë, Frederic Veseli që në vitin 2016 ishte lojtar i Luganos, këtë sezon luan në Superligën e Turqisë te Karagumruk.

Andi Lila kishte po ashtu një karrierë të bujshme. “Kishte” sepse edhe ai është njëri ndër që është pensionuar. Pensionimin, Lila e gjeti në korrik të 2020-tës, kur paraqitej për herë të fundit me Tiranën.

Ermir Lenjani tashmë si 34-vjeçar është pa klub, gjersa gjatë vitit që po flasim ne ishte pjesë e Nantes.

‘Avansojmë’ tutje në pozitën e mesfushorëve.
I pensionuari i radhës është edhe Migjen Basha, i cili njihet më së shumti për kohën e kaluar te Torino. Klubi i fundit para pensionimit për Bashën ishte Echallens, gjersa Basha i dha fund me futbollin në vitin 2022.

Si 33-vjeçar, Amir Abrashi po luan te Grasshopers, ku ka kontratë edhe një vit. Mirëpo, në vitin 2016, luante në Freiburg.

Futboll profesional më nuk luan as Ledian Memushaj. Memushaj njihej për eksperiencën te Pescara, aty edhe ku e mbylli me futbollin aktiv. Së fundmi ishte pjesë e Dinamo City si ndihmëstrajner, por që nga tetori i këtij viti nuk e ushtron më atë pozitë.

Taulant Xhaka që edhe atë vit edhe tash është pjesë e Baselit, ishte një nga lojtarët kyç të skuadrës në “EURO 2016”. Si 32-vjeçar, Xhaka ka kontratë me skuadrën zvicerane deri në vitin 2027.

Mesfushori tjetër që atë bote njihej për potencialin e tij, Ergys Kaçe tashmë luan në ligën e dytë të Greqisë.

Në sektorin e sulmuesve gjatë “EURO 2016” hynin: Armando Sadiku (Vaduz), Shkëlzen Gashi (Colorado Rapids), Odise Roshi e Bekim Balaj (Rijeka) dhe Sokol Cikalleshi (Istanbul Basaksehir).
Armando Sadiku tashmë luan në Superligën e Indisë, gjersa gjatë karrierës së tij nga ajo kohë u paraqit në disa shtete, ndër to edhe në Bolivi.

Shkëlzen Gashi në “EURO 2016” mori shumë kritika për humbjen e rastit ndaj Zvicrës, i cili ndoshta do të ndryshonte fatin e Shqipërisë atë kohë. Tash Gashi është i pensionuar, me Aaraun që ishte klubi i tij i fundit.

Odise Roshi, ndër më meritorët për Shqipërinë në kualifikimet e 2016-tës, tash e gjen veten në Ligën e Parë të Turqisë te Sakaryaspor.

Sokol Cikalleshi po paraqitet po ashtu në Turqi, mirëpo tashmë te Konyaspor. 33-vjeçari ishte kyç për Shqipërinë në kualifikimet për “EURO 2024”.

Bekim Balaj tash si 32-vjeçar është rikthyer në vendin e tij të lindjes te Vllaznia Shkodër. Ky është sezoni i tij i dytë në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.

Ndërkohë, ‘arkitekti’ i kësaj skuadre, trajneri italian, Gianni de Biasi tashmë është edhe ai i papunë. Së fundmi ishte në krye të kombëtares së Azerbajxhanit. Pas aventurës te Shqipëria u punësua si trajner te Alaves për vetëm dy muaj.