
Raporti: Viola Korça/Kanal10
Një rast tjetër i dhunimit të një të miture është raportuar në Gjilan. Policia ka njoftuar se një 16-vjeçare ka raportuar se është dhunuar nga dy vëllezër. Këta të fundit janë arrestuar dhe ndaj tyre Gjykata Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim. Shoqëria civile shprehet e shqetësuar me rritjen e rasteve, derisa sociologët kërkojnë të përfshihet në lëndët mësimore edhe ajo për edukatën seksuale, shkruan Kanal10.
Ende pa dalë në pah e gjithë ngjarja e rastit tronditës të dhunimit të 11-vjeçares, një tjetër rast i dhunimit të një të miture është raportuar në Policinë e Kosovës.
Viktimë e dhunës seksuale nga dy vëllezër në Gjilan, ka qenë një 16-vjeçare.
Deri më tani Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
“Është intervistuar viktima femër kosovare e mitur, e cila ka deklaruar se është dhunuar nga dy të dyshuar meshkuj të moshës madhore. Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, tha Policia e Gjilanit.
Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore në Gjilan tani ka bërë kërkesë për paraburgim ndaj dy të dyshuarve në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
Rrjeti i Grave të Kosovës e ka konsideruar shqetësuese, rritjen e rasteve të dhunës seksuale në vend.
Ndërkaq, sociologët kanë numëruar arsyet që po ndikojnë në rritjen e këtyre rasteve, derisa veçojnë mungesën e edukimit seksual.
Kanal 10 ka pyetur Policinë e Kosovës për numrin e rasteve të raportuara të dhunës seksuale, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta10