Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Derbi i zjarrtë mes Ballkanit dhe Prishtinës, por që përfundon pa fitues

Gazeta10
17 December 2023 - 15:01

Ballkani dhe Prishtina kanë luajtur baras 0-0 në ndeshjen derbi të xhiros së 18-të në Albi Mall Superligë.

Ka qenë një ndeshje shumë e bukur me duele shumë të forta nga të dyja skuadrat.

Gjithsesi nuk munguan as rastet e mira shënimi, me Ballkanin që kishte iniciativën dhe rrezikoi me Walid Hamidin e Albin Berishën, por pa sukses.

Të vetmin rast për mysafirët e kishte Drilon Islami, por goditja e tij nga distanca u bllokua nga Qëndrim Zyba.

Me rezultatin e pastër 0-0 dy skuadrat shkuan në pushim mes pjesëve.

Ballkani e nisi edhe më mirë pjesën e dytë duke rrezikuar më shumë, derisa Edvin Kuc goditi shtyllën.

Rastin më të mirë për kryeqytetasit e kishte Leotrim Kryeziu, por edhe pse i vetëm me portierin vendas nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Në një moment futbollistët e të dyja skuadrave u përfshinë në një kacafytje, ku gjyqtari ndëshkoi me karton të verdhë Gentrit Halilin e vendasve dhe Muhamed Useinin e mysafirëve.

E për shkak të protestave, me karton të kuq u ndëshkua edhe trajneri Ilir Daja.

Deri në fund përkundër disa rasteve të mira shënimi, gola nuk pati dhe dy skuadrat morën nga një pikë nga kjo ndeshje derbi që përfundoi baras.

Ballkani mbetet në krye të Superligës me 39 pikë, derisa Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 26 pikë. 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.