
Prindërit e një vajze 18-vjeçare janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e saj në Itali, pasi ajo e kishte refuzuar kërkesën e familjes për t’u martuar me një kushëri në atdheun e tyre.
Trupi i vajzës së quajtur Saman Abbas ishte zhvarrosur në nëntor të vitit të kaluar në një shtëpi ferme të braktisur afër fushave ku punonte babai i saj, në pjesën veriore të Italisë, një vit e gjysmë pas herës së fundit që ajo ishte parë gjallë në pamje të kamerave të sigurisë, duke ecur me prindërit.
Prokurorët italianë argumentuan se ajo ishte vrarë nga familja e vet më 1 maj 2021. Disa ditë më vonë, prindërit e saj kishin udhëtuar me aeroplan nga Milanoja drejt Pakistanit, raporton gazeta “The Guardian”.
Të martën, prindërit e saj, Shabbar Abbas dhe Nazia Shaheen, u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa daja i saj, Danish Hasnain, u dënua me 14 vite burgim nga një gjykatë në Reggio Emilia. Dy kushërinj u shpallën të pafajshëm dhe u dha urdhër për lirimin e tyre nga burgu.
Shabbar Abbas, që ishte ekstraduar nga Pakistani në gusht, u deklarua i pafajshëm gjatë një deklarate me lot në gjykatë. Gruaja e tij u gjykua në mungesë dhe besohet se ndodhet në Pakistan.
Ky gjykim ishte i profilit më të lartë në mesin e disa hetimeve në Itali viteve të fundit rreth vrasjes ose keqtrajtimit të grave ose vajzave imigrante, të rebeluara kundër këmbënguljes së familjeve të tyre për t’u martuar me burra të zgjedhur për to.
Përmes autopsisë u zbulua se vajza kishte një asht të qafës të thyer, me gjasë të shkaktuar nga shtrëngimi në fyt. Ajo kishte imigruar si adoleshente nga Pakistani në qytezën italiane, Novellara, e cila ndodhet në rajonin verior të Italisë, Emilia-Romanja.