
Data 1 janar 2024 i përket emisionit “Kampionët Festive”.
Në këtë emision special të ftuar janë disa nga fytyrat më të njohura dhe më të suksesshme të vitit 2023.
Paneli është i përbërë nga: Bekim Isufi, Debatik Curri, Blerand Stavileci, Gramoz Vokrri, Enkelida Gegollaj, Dilara Gashi, Gen Zeqiraj dhe Aldona Kurtolli.
Gjatë diskutimit e sipër, Bekim Isufi ishte shumë i ashpër me trajnerin Primoz Gliha.
“Ishte trajner i përkohshëm. Nuk ka të drejtë ai të sillet aq keq me lojtarët e tij, e sidomos me disa nga lojtarët që vijnë nga top pesë ligat evropiane” – tha ai.
Tutje, Isufi kishte një këshillë për trajnerin e ri që do të vijë te Kosova.
“Trajneri që vijë, nuk mundet që në 2-3 grumbullimet e para të tij të sillet keq e t’i tregojë lojtarëve si Rrahmani se si të sillen. Dorën e tij të hekurt duhet ta ushtrojë te disiplina e tij dhe strategjia e tij taktike, sepse lojtarët e Kosovës vijnë nga klube që sjelljen nuk e kanë problem” – shtoi ai.