
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, është deklaruar pas takimit me homologun e saj britanik, David Cameron, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Në një konferencë të përbashkët për media, Gërvalla ka dhënë detaje lidhur me diskutimet në takimin me Cameron, ku tha se e ka njoftuar atë për të arriturat e Kosovës në fusha të ndryshme, sidomos në atë të sundimit të ligjit dhe forcimit të demokracisë.
Kryediplomatja kosovare ka shprehur mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen ndaj Kosovës vazhdimisht para dhe pas luftës dhe për rolin që ka pasur Mbretëria e Bashkuar në ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës në vitet 98-99.
“Duke e njoftuar rreth aktit të agresionit të hapur të vitit që shkoi, shpreha mirënjohjen e thellë për reagimin e menjëhershëm dhe vendosmërinë e treguar të Mbretërisë së Bashkuar pas sulmit të Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator dhe dërgimin e trupave shtesë me një mandat të qartë duke e vlerësuar këtë si një sinjal të domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin“, tha Gërvalla.
Ajo ka folur edhe për aspektin ekonomik, për çka tha se Kosova po punon çdo ditë që të jetë partner strategjik për Mbretërinë e Bashkuar, të cilët sipas saj, pas BREXIT-it kanë një orientim të qartë global.
“Në aspektin ekonomik dhe ndërkombëtar, pas BREXIT-it, Mbretëria e Bashkuar ka një orientim të qartë global dhe këtu Kosova mund të jetë dhe po punon çdo ditë që të jetë një partner strategjik. Zhvillimi dinamik i ekonomisë në vitet 2021-2024 me rritje sipas FMN-së gati 50% të GDP-së, me rritjen më të fuqishme ekonomike në rajon, rritjen e dukshme të investimeve të huaja direkte, me një sektor të zhvilluar dhe dinamik të teknologjisë informative dhe klientë të rëndësishëm globalë me taksa shumë të ulëta, sukseset e prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Kosova është e hapur dhe e gatshme për biznes“, u shpreh kryediplomatja, duke shtuar se nuk ka asnjë dilemë që Kosova është pjesë e Perëndimit.
Ajo ka pohuar se Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është partner tejet i rëndësishëm brenda NATO-s, aty ku Kosova e sheh veten pjesë të synimeve strategjike dhe përcaktimeve parimore të kesaj organizate.
Pas takimit me Gërvallën, kreu i diplomacisë britanike do shkojë në Presidencë, ku do të takohet me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Cameron i cili për herë të parë po vizitin Kosovën, mbrëmë u takua me kryeministrin, Albin Kurti.
Në takim u fol për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve, teksa Kurti e njoftoi Cameronin me progresin dhe arritjet e Kosovës.