
Pritjet për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdarë vazhdojnë të jenë të gjata. Sipas përditësimit të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolona janë krijuar në Merdarë dhe pritjet aty shkojnë deri në 5 orë.
Kolonat e krijuara në këtë pikë kufitare janë deri në 3000 metra.
Pritje deri në 1 orë ka edhe te Dheu i Bardhë dhe deri në gjysmë ore në pikëkalimin kufitar në Mutivodë.
Kujtojmë se Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve të Kosovës që të shfrytëzojnë edhe pikëkalimet tjera kufitare përpos asaj në Merdarë, ku edhe dje pritjet ishin të gjata.
“Ne inkurajojmë të gjithë ata persona që shfrytëzojnë pikë kalimet kufitare, në këtë periudhë për dalje nga Republika e Kosovës të përdorin edhe alternativa (pika tjera kufitare) tjera, ku fluksi është me i vogël, në mënyrë që të iu shmangen pritjeve dhe kolonave eventuale”, u tha në komunikatën e policisë.
Komunikata e policisë erdhi pas incidentit që ndodhi në Merdarë ku pati përplasje mes disa qytetarëve dhe policisë.
