
Eurodeputeti kroat, Davor Ivo Stier, ka deklaruar se Kosova, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina ishin viktima të agresionit të regjimit të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
Në një intervistë për Euronews Albania, Stier u pyet për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Ai theksoi se ky proces nuk e ndryshon faktin historik se vendet e rajonit ishin viktima të agresionit të nisur nga Serbia gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Ky është një fakt historik që nuk duhet të dobësohet nga asnjë politikë. Kroacia, Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe, në njëfarë mënyre, edhe Sllovenia, ishin viktima të një agresioni që u nis nga Serbia dhe presidenti i saj. Ky është një fakt që nuk duhet anashkaluar”, deklaroi Stier.
Eurodeputeti kroat kritikoi gjithashtu mënyrën se si autoritetet serbe e paraqesin ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimet e vitit 1999, duke theksuar se ato shpesh anashkalojnë ngjarjet që paraprinë ndërhyrjen ushtarake.
“Kur i dëgjoj autoritetet serbe duke folur, duket se ato kujtojnë vetëm ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimet, por sillen sikur para bombardimeve të mos kishte ndodhur asgjë”, u shpreh ai.
Stier nënvizoi se ndërhyrja e NATO-s kishte për qëllim ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë.
“Pati një arsye pse NATO ndërhyri dhe pse u kryen bombardimet: për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Kjo ishte edhe lufta e fundit e nisur nga Millosheviqi. Këto janë fakte historike që nuk duhet të neglizhohen”, tha eurodeputeti kroat.