
Basketbolli në Kosovë është ndër sportet që po ngjallë interes më të madh te publiku kohëve të fundit.
Ndeshjet qofshin në kuadër të Superligës ose garës për Kupën e Kosovës në vazhdimësi kanë tërhequr vëmendjen e sportdashësve në Kosovë dhe rajon.
Edhe këtë vit nuk ndodhi më ndryshe.
Është palestra “Shani Nushi”, aty ku po organizohet “Final 8” i sivjetëm, tashmë me dy ekipe të mbetura.
Në finalen e madhe të 17 shkurtit do të përballen “rivalët e moçëm”, Trepça e Prishtina, duke rikrijuar finalen e vitit të kaluar.
Një vit më herët, po këto dy skuadra përballeshin në finalen e Kupës, me Trepçën që arriti të triumfojë për herën e dytë radhazi me shifrat 74-66.
Trepça deri me tani në këtë pjesë të edicionit ka 16 fitore radhazi, duke përfshirë garat vendore.
Ndërsa, Prishtina në anën tjetër ka një seri prej 4 fitoresh me radhë, po ashtu duke marrë në konsideratë ndeshjet në Superligë e Kupë.
Rrugën për në finale, Trepça e gjeti pasi mposhti në çerekfinale Istogun, gjersa në gjysmëfinale triumfoi ndaj Golden Eagle Yllit.
Prishtina në çerekfinale mposhti Proton Cable Prizrenin, ndërsa në gjysmëfinale arriti të marrë fitoren ndaj Bashkimit.
Një ditë para finales së sivjetme të Kupës, kemi vendosur të potencojmë klubet më të suksesshme në këtë kompeticion.
Prishtina në maje
KB Sigal Prishtina bindshëm është klubi i cili më tepër e ka fituar Kupën e Kosovës në basketboll. Prej çlirimit të Kosovës e deri më sot prishtinasit plotë 15 herë e kanë fituar Kupën e Kosovës në basketboll.
Peja e Trepça të barabartë
Të dytit pas Prishtinës, me numër një shifror të trofeve të Kupës janë Peja e Trepça, të cilat kanë nga 6 sosh. Për Pejën tashmë janë bërë 4 vite që nuk ka triumfuar në Kupën e Kosovës, derisa hera e parë ishte në vitin 1994.
“Vëllaznimi i lashtë”
I lashtë sepse skuadra gjakovare, që këtë edicion ishte nikoqire e këtij kompeticioni, është dy herë fituese e Kupës, mirëpo të dyja herët i ka para luftës. Një herë në vitin 1992, e një herë tjetër më 1996, Vëllaznimi më nuk arritur të gjejë rrugën për te trofeu.
Bashkimi i vetëm me një
Edhe Prizreni kishte festuar për Kupën e Kosovës, mirëpo për vetëm një herë në historinë e basketbollit prizrenas. Gëzimin në Prizren e sillte Bashkimi në vitin 2001.
Bazuar në të dhënat e Federatës së Basketbollit të Kosovës, prej sezonit 1991/92 e deri më sot gara për Kupën e Kosovës nuk ka vazhduar vetëm gjatë periudhës 1997/98 shkaku i luftës që kishte përfshirë Kosovën.
FITUESIT E KUPËS PËRGJATË VITEVE:
KB Prishtina: 2001/02, 2002/03, 2004/05, 2005/06, 2006/07, 2007/08, 2008/09, 2009/10, 2012/13, 2013/14, 2015/16, 2016/17, 2017/18, 2018/19, 2020/21
KB Trepça: 1992/93, 1999/2000, 2003/04, 2011/12, 2021/22, 2022/23
KB Peja: 1993/94, 1994/95, 1996/97, 2010/11, 2014/15, 2019/20
KB Vëllaznimi: 1991/92, 1995/96
KB Bashkimi: 2000/01