
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar se cilat lëvizje sipas tij i ka bërë ekzekutivi ndaj kërkesave të sindikatave.
Kryeziu përmes një statusi në Facebook, ka renditur 11 lëvizjet e Qeverisë Kurti, raporton Gazeta10.
“11 lëvizjet e Qeverisë:
Procedimi i projektligjit për paga në sektorin publik, i cili del këtë javë në dëgjim publik.
Mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë.
Projektligji siguron trajtim të barabartë të mësueseve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët.
Projektligji eliminon padrejtësitë ndaj shumë punonjësve të sektorit të arsimit si bibliotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar.
Projektiligji parasheh shtesa për mësimdhënësit në bazë të kualifikimit dhe përgjegjësive menaxheriale.
Me kërkesë të SBAShK-ut, për herë të parë janë ndarë 1.7 milionë euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda.
Buxhet shtesë për mësimdhënësit që konsiderohen tepricë, ashtu që mos të mbesin pa punë.
Rregullimi i statusit të mësimdhënësve në marrëveshje pune mbi 10 vjeçare.
Shtesa prej 50 euro për punëtorët e sektorit publik për të gjithë muajt e mbetur të vitit në kuadër të pakos prej 150 milionë euro për Përballje me Inflacionin.
Ftesa drejtuar BSPK-së që bashkërisht të bëjmë reformën e sistemit pensional drejt largimit të pragut prej 15 vjet përvojë pune.
Zotimi për 10 milionë euro shtesë për barna esenciale.”, ka shkruar Kryeziu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot u takua me Këshillin Grevist të BSPK-së, për ndërprerjen e grevës në arsim, por që ky takim ishte pa rezultat. Pas këtij takimi, Kurti mbajti një konferencë për medie, ku tregoi se cka biseduan me Këshillin Grevist, dhe pse nuk i pranojnë kërkesat e tyre./Gazeta10