
Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10
Një 22-vjeçar është therur me thikë derisa ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet të ketë ndodhur si shkak i mosmarrëveshjes në trafik në Gllamnik të Podujevës. Familjarë të tij thonë se i ndjeri nuk e kishte njohur të dyshuarin derisa nga Prokuroria Themelore kanë thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e të dyshuarit, shkruan Kanal10.
E hëna ka qenë tragjike për familjen Zhegrova nga Siboci i Podujevës.
Djali i tyre, Amir Zhegrova humbi jetën si pasojë e plagëve të marra me thikë .
22-vjeçari dyshohet se u sulmua me thikë nga një person, pas mosmarrëveshjeve në trafik.
“Në rrugën Prishtinë-Podujevë, konkretisht në fshatin Gllamnik, 22 vjeçari u ther me thikë dhe nuk i mbijetoi plagëve të marra.”
Familjarët e Amir Zhegrovës morën lajmin e vdekjen së tij në orët e para të mëngjesit të së martës, tashmë kanë hapur të pame.
Ata kanë thënë se Amiri nuk kishte probleme me askënd e as nuk e njihte të dyshuarin.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla ka thënë se viktima është pranuar me plagë të rënda.
“Janë kryer ekzaminimet dhe analizat e nevojshme në Qendrën Emergjente ku më pas pacienti është dërguar në sallë nga ekipet e Kirurgjisë Torakale dhe Kardiokirurgjisë për procedurat e nevojshme.”, tha Naser Syla – Drejtori i Klinikës Emergjente
Policia e Kosovës ka thënë se rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.
Kurse, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se janë duke i zhvilluar hetimet për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, duke shtuar se i dyshuari ndodhet në arrati.
“Me urdhër të prokurores kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, si dhe, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion. Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për arrestimin e personit të dyshuar dhe ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.”, tha Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Varrimi i 22-vjeçarit është bërë pasditen e së martës në fshatin Siboc. /Gazeta10