Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Drita i falet Raddy Ovoukas, shfrytëzon gabimet e Ballkanit dhe Llapit

Gazeta10
14 March 2024 - 15:11

Drita ka shënuar edhe një fitore tjetër në pranverë.

Skuadra e Zekirija Ramadanit ka arritur fitoren e dytë radhazi, kësaj here si mysafir i Feronikelit ’74.

Bardhekaltërit nga Gjilani triumfuan minimalisht në Drenas, me golin e shënuar nga mbrojtësi ganez, Raddy Ovouka.

Mbrojtësi i majtë, që po gëzon formë të mirë këtë edicion, arriti të gjejë golin e fitores në minutën e 79-të të ndeshjes, pas një asistimi brenda zonës nga Besnik Krasniqi.

Kështu, Drita arkëton tre pikë të rëndësishme, duke shfrytëzuar gabimet e dy konkurrentëve për titull.

Skuadra gjilanase tashmë është vetëm dy pikë larg vendit të parë, Ballkanit dhe një pikë larg vendit të dytë që mbahet nga Llapi.

Ndërkohë, Feronikëli i Shefki Kuqit e gjen vetën në pozitën e shtatë në tabelë me 26 pikë, një më shumë se Gjilani që zë vendin e barazhit.

Ndeshjen e ardhshme, Drita do të ketë punë me rivalin lokal, Gjilanin, teksa  Feronikeli ’74 do t’i shkojë Dukagjinit në Klinë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.