
I vetëm mori mbi supe skuadrën e tij dhe e dërgoi në rrugën e fitores, dhe atë ndaj skuadrës kampione në fuqi.
Alden Skrijelj i Fushë Kosovës ishte arsyeja kryesore që Ballkani pësoi humbjen e katërt sezonale dhe të dytën në stinorin pranveror.
23-vjeçari nga Mali i Zi shënoi dy gola në fitoren e madhe të Fushë Kosovës ndaj skuadrës së Ilir Dajës.
Kështu, sulmuesi anësor u shpërblye nga FFK-ja me çmimin javor “Ylli i Javës”.
Pas pranimit të çmimit, Skrijelj u shpreh i lumtur që për herë të parë u vlerësua si më i miri i javës.
“Jam i lumtur dhe do të thotë shumë për mua që mora këtë çmim. Do të doja të falëndëroja të gjithë, nga shokët e skuadrës deri tek trajneri. Shpresoj që të ketë më shumë çmime të tilla dhe mbi të gjitha të vazhdojmë me rezultate të mira si skuadër”.
Skrijelj iu bashkua Fushë Kosovës gjatë afatit kalimtar të janarit si transferim i lirë nga skuadra malazeze e Jezeros.
Fushë Kosova edhe pas fitores ndaj Ballkanit ende gjendet e nënta në tabelë me 19 pikë, gjashtë më pak se pozita që të dërgon në barazh.