
Përmenden shumë shpesh në publik, mirëpo pak e dinë se çfarë roli ushtrojnë saktësisht.
Bëhet fjalë për pozitën e “Drejtorit Sportiv”, pozitë e cila jo pak herë është bërë temë e diskutueshme në futbollin kosovar.
Klubet në Evropë dhe më tëj kanë dy mundësi zgjedhje: të punësojnë një drejtor sportiv, apo të punësojnë një menaxher (trajner, i cili po ashtu merr vet vendimet e një “drejtori sportiv”).
Për këtë të parën, mund të marrim shembuj më shumë në Gjermani, gjersa për të dytën, shembuj kemi me bollëk nga Anglia.
Nga shembujt jashtë Kosovës, një drejtor sportiv është mes pronarit të klubit dhe Shefit Ekzekutiv (CEO).
Detyrat e drejtorit sportiv përfshijnë zhvillimin e strategjisë, transferimeve, analizave dhe veprimeve të përgjithshme të klubit.
Në përgjithësi, roli i një drejtori sportiv është të ketë një ndikim të veçantë në drejtimin, që klubi vendos të shkojë me zhvillimin dhe filozofinë e tij.
Marrim edhe një shembull nga Gjermania: Një trajner që merr rolin e kreut të shtabit teknik, është përgjegjës për stërvitjet e ekipit të parë, ndërsa drejtori sportiv ka përgjegjësi analizën e lojës nga ekipi i parë, deri te ekipi i të rinjëve.
Nga Gjermania, rikthehemi në Kosovë, aty ku e kemi vendosur fokusin për këtë artikull.
“Kanal10” ka marrë përgjigje prej 5 klubeve të Superligës, nga 10 sa janë gjithsej në elitën e futbollit kosovar.
Nga këto intervista kemi marrë vesh që secili klub ka objektiva të ndryshme, dhe si të tillë kanë edhe kërkesa dhe nevoja të ndryshme.
Disa janë edhe tifoz të klubeve respektive që kanë vendosur ta ushtrojnë këtë detyrë me vetdëshirë dhe pa asnjë pagesë.
Nga këta të fundit është edhe Kujtim Arifi, drejtor sportiv te Fushë Kosova.
“Roli im tek klubi i zemrës është në cilësinë e drejtorit sportiv, mirëpo duke i parë vështirësitë financiare që po kalon klubi, unë këtë detyrë e bëj pa pagesë”
Arifi i Fushë Kosovës tregon se si ndodh një transferim në klubin e tij, duke e ditur se përgjegjësi kryesor në këtë klub për këtë proces është drejtori sportiv.
“Procesi i transferimit të një lojtari, realisht ndahet në dy pjesë: transfer kombëtar dhe ndërkombëtar. Duhet të shikohet nëse është ndërkombëtar, çfarë dokumentacioni duhet për t’i përmbushur detyrimet ndaj legjislacionit tonë dhe ta kesh të qartë mentalitetin nga vjen që të adaptohet sa më mirë në futbollin tonë. Roli i drejtorit sportiv është i qartë. Është mesi i klubit. Raporton te presidenti dhe ka përgjegjësi të transferojë lojtar, të krijojë harmoni në ekip, te dijë ta vlerësojë punën e trajnerit dhe në raste ta shkarkojë atë.”
Nga SC Gjilani, drejtori sportiv i klubit, Sallah Sherifi tregon për ‘detyrat’ e tij brenda klubit gjilanas.
“Kjo pozitë është përgjegjëse për hartimin e projektit në aspektin sportiv, afrimin dhe menaxhimin e lojtarëve brenda klubit, po ashtu edhe skautimin nga moshat zingjir të klubit dhe më gjerë te klubet dhe ligat e tjera.”
Në pyetjen se si ndihet nga vlerësimet që i bëhen nga jashtë, ai u përgjigj: “Ne nuk ndikohemi asnjëherë nga faktorët e jashtëm, pasi që si klub kemi objektivat dhe planet tona që mundohemi të mos dalim asnjëherë jashta tyre”.
E Milaim Berisha, drejtori sportiv i Malishevës – klubit që po shkakton befasi këtë sezon në Superligë – thekson vështirësit që kalon në ushtrimin e këtij roli.
“Në Kosovë kemi mungesë të ekspertëve të fushave specifike që një klub ka nevojë dhe si menaxher i procesit stërvitor, mendoj se kjo na sfidon më së shumti. Kemi nevojë për ndihmëstrajner, video analist, ndihmëstrajner kondicional, nutricionist etj. Pra, në mungesë të tyre tentojmë ta bëjmë më të mirën dhe kjo bën që të kemi ngarkesa të tepërta.”
Tutje, Berisha tregon lidhjen që ai tenton ta bëj mes ekipit të parë dhe grupmoshave të Malishevës.
“Ne i përcjellim proceset stërvitore dhe jemi në kontakt me trajnerët e grupmoshave. Ne tentojmë që filozofinë e ekipës së parë ta transmetojmë tek U21 dhe grupmoshat tjera, për këtë ne mbajmë takime me trajnerët, trajnime per stërvitje kondicionale, etj. Poashtu, trajnerët i ftojmë në stërvitjet e ekipës së parë për të arritur që ata të marrin nga procesi ynë stërvitor.”
Korab Desku nga KF Dukagjini bën të ditur strategjinë e tij dhe të klubit me lojtarët e rinj të skuadrës.
“Aplikimi i ideve të tij që e mendon klubin për një kohë afatgjatë është shumë i rëndësishëm! Duke marrë shembull që në klubin tonë tanimë kemi 8 futbollistë nën moshën 22-vjeçare, shihet që kemi një plan afatgjatë. Çdo vit nga shkollat e futbollit, 2-3 futbollistë i bashkohen ekipit të parë, pra edhe puna që aplikohet në shkollat e futbollit në klubin tonë është e kënaqshme.”
Ai tutje thotë se vendimet e tij nuk kontestohen nga askush brenda klubit, duke bërë me dije indirekt se ka besimin e kryesisë.
“Marrja e vendimeve bëhet gjithmonë në bashkëpunim me presidentin, mirëpo në klubin tonë gjithmonë drejtori sportiv e ka mundësinë e opinionit të tij dhe praktikimin e ideve që ai mendon që janë më të përshtashme për klubin.”
Nga pesë klubet e intervistuara, një është pak më e veçantë.
Nga Feronikeli ’74, pyetjeve tona iu përgjigj Erlind Krasniqi, president i klubit. Ai tha se kanë vendosur të ndjekin një rrugë tjetër, dhe se që nga ardhja e Shefki Kuqit nuk kanë drejtor sportiv.
“Prej momentit që ka ardhur trajneri Shefki Kuqi, nuk kemi drejtor sportiv për arsye që ja kemi lënë duart e lira trajnerit për transferime. Edhe ashtu trajnerët sot i kanë kërkesat më specifike për lojtar, prandaj mendoj që më mirë është pa drejtor sportiv, sesa një drejtor sportiv nën hije.”
Redaksisë së sportit në “Kanal10” përgjigje nuk i kthyen drejtorët sportiv të tri klubeve të vendeve të para në Superligë, që përfshijnë Omer Bunjakun e Ballkanit, Mentor Zhdrellën e Llapit dhe Valon Zymberin e Dritës.
Për “Kanal10”, përgjigje nuk dhanë as nga klubi i Prishtinës e Lirisë.