Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

“Etihad Stadium” – kriptoniti i Real Madridit

Gazeta10
16 March 2024 - 14:24

Ka shumë pak stadiume që Real Madridi nuk ka shijuar fitore në to.

Ndër to është edhe shtëpia e fituesit të tripletës sezonin e kaluar, Manchester Cityt.

“Etihad Stadium” është arena ku Real Madridi nuk ka arritur t’i gëzohet asnjëherë fitores.

Si Supermeni kur ‘dobësohej’ saherë i ekspozohej kriptonitit, ashtu edhe Real Madridi ndihet pa fuqi saherë shkel në “Etihad”.

Edhe pse këto dy ekipe luajnë në kompeticionin e preferuar të Real Madridit, ky i fundit përsëri ka probleme me “Qytetarët” në shtëpinë e tyre.

Të luash ndaj Real Madridit është ndjesi e pashpjegueshme, sepse siç thotë edhe Guardiola: “ata janë mbretërit e kompeticionit”.

Mirëpo, ‘mbretit’ po i bie kurora saherë që po i duhet të udhëtojë për në qytetin e Manchesterit, e veçanërisht në “Etihad”.

Në 5 ndeshje në këtë stadium, Real Madridi ka dalur kokëulur po aq herë.

Së pari, këto dy klube u përballën në fazën e grupeve në sezonin 2012/13. Real Madridi fitonte ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu” me shifrat 3-2, mirëpo në atë të kthimit, skuadra spanjolle nuk arriti më shumë se një barazim prej 1-1.

Fati i vuri përballë përsëri. Më 2016, këto dy skuadra ndesheshin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë luhej në Angli, aty ku Real Madridi përsëri nuk shënoi fitore. “Los Blancos” u desh të pajtoheshin me një barazim pa gola, para ndeshjes së kthimit në “Bernabeu”, aty ku fitonin me rezultat minimal prej 1-0.

Katër vitë më vonë, Real Madridi do të ishte edhe një herë nikoqir i skuadrës së Pep Guardiolës. Kësaj radhe në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Dueli i parë i përkiste Cityt, i cili triumfoi me rikthim, me shifrat 1-2. Ndërsa, në “Etihad”, Real Madridi edhe pse u mundua, prapë nuk ia doli të fitonte. Të besuarit e Zinedine Zidane edhe një herë po dilnin kokëulur nga stadiumi i “Cityzens”.

Më interesante dhe më konkurruese dolën të jenë dy herët e fundit, që këto dy skuadra u ndeshën.

Më 2022, shorti deshi që Reali të udhëtoj për në ndeshjen e parë në “Etihad”, me takimin që luhej për gjysmëfinalen e LK-së. Ajo ndeshje u mbyll me shifrat 4-3 në të mirë të vendasve. E, takimi i kthimit ishte gjithçka në anën e Realit. Me në krye Ancelottin, Camavingan dhe Rodrygon, Real Madridi u rikthye në lojë, dhe kështu siguroi një vend në finalen e madhe të Parisit.

Një sezon më pas, sikur fati donte që City të merrte ‘hakmarrjen’, skuadra angleze prapë do të kishte punë me atë spanjolle.

Ndeshja e parë në “Bernabeu” u mbyll 1-1, me dy supergola të shënuar nga Vinicius Junior dhe Kevin de Bruyne respektivisht.

E takimi i dytë ishte i gjithi i Cityt. Të kaltrit nga Manchesteri ‘demoluan’ Real Madridin si askush më parë. Ndoshta edhe ai mllefi i sezonit të kaluar pati luajtur rol të madh. Silva dy herë, Militao autogol dhe në fund Julian Alvarez ishin golashënuesit për skuadrën e Guardiolës që gjeti rrugën për në finale e në fund edhe e fitoi atë.

Ky është rekordi më i dobët i Real Madridit ndaj një kundërshtari në Ligën e Kampionëve, në kompeticionin që ata mbretërojnë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.