
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se Serbia duhet të çlirohet mendërisht nga Kosova, raporton Gazeta10.
Murati ka kritikuar debatin në Kuvendin e Serbisë që ka ndodhur këto dy ditë në lidhje me Kosovën.
Tutje, Murati ka thënë se është gënjeshtër se Serbia nuk mund të ekzistojë pa Kosovën dhe se kjo është edhe dëm shoqëror edhe një e pavërtetë empirike.
Këtu keni postimin e plotë:
“Nacional-shovinizmi përveç dëmeve që ua bën popujve të tjerë e dëmton edhe vetë popullin, politika e të cilit është bartëse e një ideologjie të tillë. I tillë ka qenë dhe është nacional-shovinizmi serb. Dje e pardje në debatin parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, sillej e përdridhej si fantazmë, sintagma: Serbia nuk mund të ekzistojë pa Kosovën. Kjo përveç e dëmshme për vetë shoqërinë serbe është edhe gënjeshtër e pastër empirike. Nëse e marrim vitin 1815 si vit kur filloi jetën Serbia moderne autonome, ajo deri më sot ka ekzistuar 105 vite pa Kosovën dhe vetëm 83 vite e ka pasur Kosovën të pushtuar dhe nën administrim. Dhe jo vetëm që Serbia mundet pa Kosovën, por mu atëherë kur nuk e ka pasur të pushtuar Kosovën ajo i ka pasur punët më së miri. Tani përveç çlirimit fizik prej Kosovës, që të ec Serbia përpara duhet edhe të çlirohet mendërisht, e kjo si duket është gjëja më e vështirë”, thuhet në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10