
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së (IAEA) thotë se termocentrali i madh bërthamor i Ukrainës Zaporizhzhia ka filluar të marrë energji nga rrjeti kombëtar prap, shkruan BBC News, transmeton Gazeta10.
Granatimet në zonë dëmtuan linjat e energjisë elektrike të lidhura me termocentralin. Të gjashtë reaktorët e tij janë në një gjendje mbylljeje të ftohtë, por termocentrali ka nevojë për energji të jashtme për të ftohur reaktorët e tij dhe për t’u mbrojtur nga rreziku i një shkrirjeje.
IAEA thotë se situata e uzinës, e cila mbahet nga forcat ruse, është përmirësuar, por mbetet e pasigurt.
Një ekip ekspertësh bërthamorë nga IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) udhëtoi në Zaporizhzhia, centrali bërthamor më i madh në Evropë, në fillim të muajit.
Udhëtimi pasoi thirrjet në rritje nga Ukraina dhe komuniteti ndërkombëtar për një inspektim sigurie pas raportimeve të bombardimeve. Rusia dhe Ukraina fajësuan njëra-tjetrën për bombardimin e objektit në Ukrainën juglindore.
Pas inspektimit të parë të IAEA, agjencia njoftoi se do të mbante një prani të përhershme për të monitoruar situatën.
Të shtunën, anëtarët e ekipit në vend mësuan se një nga katër linjat kryesore të jashtme të energjisë të dëmtuara nga granatimet ishte riparuar, duke lejuar marrjen e energjisë elektrike direkt nga rrjeti kombëtar, shkroi IAEA të shtunën në Twitter, shkruan BBC News./Gazeta10.