
Vërshimet e djeshme në Rahovec kanë shkaktuar dëme të mëdha në shumë ekonomi familjare, biznese dhe toka bujqësore. Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi tha për KosovaPress, se sot gjendja është qetësuar dhe se janë duke mbledhur të dhëna për dëmet, mirëpo që ende nuk dihet sakte vlera e tyre, shkruan KosovaPress, transmeton Gazeta10.
Latifi tha se komisionet që nga dita e nesërme do të dalin në terren për t’i evidentuar dëmet që u janë bërë banorëve të kësaj komune. Sipas tij, kanë mjaftë fakte me incizime që flasin për dëmet.
“Është qetësuar gjendja pasi nuk ka reshje nga pasditja e djeshme dhe tash jemi duke marrë masa, ndërhyrje. Po punojmë me njësitë e zjarrfikëseve dhe po grumbullojmë të dhëna në mënyrë që të kemi lehtësira për komisionet të cilat do të dalin nga nesër në terren për t’i evidentuar dëmet në amvisëri, në ekonomi familjare, biznese, infrastrukturë publike, dhe bujqësi… Nuk mund ta dimë vlerën e dëmtimeve, duhet verifikuar përmes komisioneve në terren. Ka mjaftë video, ingjizime të cilat flasin që dëmet janë të konsiderusheme”, tha ai.
Ai tha se ka ardhur edhe ekipi i FSK-së dhe janë duke shikuar gjendjen për mundësinë e ndërhyrje me makineritë e tyre dhe për hapjen e disa pjesëve ku nuk ka arritur komuna. Ndërsa ka kërkuar t’i hapin disa kanale për ta lehtësuar gjendjen në qoftë se rrezikohet sërish në të ardhmen.
“Ka ardhur ekipi i FSK-së dhe është duke incizuar, vlerësuar, analizuar gjendjen për mundësinë e ndërhyrjes me makinerinë e tyre për hapjen e disa pjesëve ku ne s’kemi arritur…Ata veçse janë duke e bërë një raport sipas protokollit të tyre, i cili dërgohet në qendrën kombëtare të operacioneve emergjente dhe besoj se FSK-ja do të ketë dokument për të marrë veprime të nevojshme emergjente, për ta ndihmuar stabilizimin e qëndrueshëm të gjendjes këtu te ne. Shpresoj se do të hynë me makineri dhe t’i hapin disa fyte të ngushtë, sigurisht në pjesën që lidhen me Drinin e Bardhë, do të hapin kanale që janë të nevojshme për ta lehtësuar situatën në qoftë se rrezikohet në të ardhmen”, tha Latifi./Gazeta10.