
Nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati dhe shefi i grupit të asambleistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri në një konferencë për media treguan për planin e Kalabrisë që u votua të hënën në Prishtinë.
Sipas tyre në këtë plan, 15 hektarë të pronës publike perreth Stacionit të Autobusëve u dhanë për ndërtim të lartë. Planin që e propozoi Përparim Rama, e votoi edhe Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë.
Reagimi i plotë:
Stacioni Autobusave në Prishtine është themelu në vitin 1977 si një qendër shumë e rëndësishme për karakterin dhe identitetin e Prishtinës.
Që nga paslufta është folë shpesh se do të ishte mirë të privatizohej edhe ky aset e nyje e rëndësishme e qytetit. Një copë toke e madhe që ngjallte uri të shumë biznismenëve.
Njësoj ka pasë tentime për tjetërsimin e kësaj prone komunale edhe në administratat e kaluara komunale ku përfliteshin shumë emra të kompanive të ndërtimit që do ta merrnin këtë tokë.
Por duke e ditë betejën e Prishtinës me ndërtimet e egra, askush nuk e ka pasë guximin me tjetërsu këtë tokë publike të Prishtinës në tokë për ndërtim. Askush nuk ka guxu. Deri më sot.
Të fshehur pas kerkesave të qytetarëve, me propozimin e Përparim Ramës dhe me votat e Lëvizjes Vetëvendosje për herë të parë që nga viti 1977 u tjetërsuan tokat e Stacionit të Autobusëve, duke i shëndrruar ato nga toka komunale në toka për ndërtime te larta.
Me këtë propozim dhe me këto vota u vulosën marrëveshjet milionshe që do të gjenerohen nga privatizimi i pasurisë së Prishtinës, e qytetit tonë të dashur do t’i shtohen miliona metra kub beton, mijëra vetura, stërngarkim i shkollave e përkeqësim i cilësisë të ajrit.
Për këtë arsye duam që të sjellim vëmendjen e të gjithë qytetarëve dhe profesionistëve të fushës që të mos e lejojnë që Badovci e Kalabria të përsëriten. Të bëhemi bashkë që të mos lejojmë degradimin e mëtutjeshëm të qytetit.