
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se pesë shtetet mosnjohëse janë pengesë për Kosovën që të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ka frustrim brenda Komisionit Evropian që nuk po arrihet konsensusi, për çka shtoi se janë këto vende të cilat nuk po arrijnë një gjë të tillë.
Pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se gara e Kosovës për anëtarësim në BE nuk është e njëjtë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Bislimi ka deklaruar se Kosova është më e përgatitur se secili vend i Ballkanit Perëndimor për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Mosnjohësit nuk po lejojnë ende që të ndërtohet konsensusi brenda këshillit, i cili kërkon dërgimin e pyetësorit tek Komisioni Evropian, në mënyrë që të vlerësohen kapacitetet e Kosovës për të filluar procesin e integrimit, apo për të marrin statusin e kandidatit. Ka frustrim edhe brenda komisionit që ky konsensus nuk po arrihet edhe më tej, ne kemi insistuar shumë herë që konsensusi të gjendet në formën e njëjtë siç është arritur në vitin 2016 kur vendet anëtare janë pajtuar që të kenë divergjenca rreth njohjes së Kosovës, por jo të kenë unitet në mundësimin e ecjes së Kosovës rreth integrimit evropian. Procesi i integrimit liron më shumë fonde të Bashkimit Evropian, por kjo nuk do të thotë që shtyhet për shkak se ne veç jemi duke punuar në zbatimin e agjendës dhe rrjedhimisht jemi shumë më të përgatitur se sa secili vend i Ballkanit Perëndimor në momentin kur e ka marrë statusin e kandidatit”, ka theksuar ai.