Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Greva në vend, SBAShK i drejtohet me letër Avokatit të Popullit, thotë se përgjegjësia është e qeverisë

Gazeta10
20 September 2022 - 14:56

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës i është drejtuar me një letër Avokatit të Popullit, ku ndër të tjera ka thënë se përgjegjësia rreth grevave është e qeverisë, raporton Gazeta10.

Në letrën e tyre, SBAShK-u ka thënë se është në dorën e qeverisë për t’i dhënë fund kësaj greve.

“Është në dorën e qeverisë për të ofruar zgjidhje përfundimtare dhe të pranueshme për t’i dhënë fund grevës”, thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar Avokatit të Popullit.

Tutje, thuhet se ata shprehin falënderimin dhe vlerësimin ndaj institucionit të Avokatit të Popullit për angazhimin e tij në këtë problem.

“Më lejoni që përmes kësaj shkrese të shprehim vlerësimin dhe falënderimin tonë për gadishmërinë tuaj për të ndërmjetësuar në arritjen e një marrëveshjeje në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës lidhur me evitimin e mëtejshëm të efekteve të grevës së përgjithshme të shpallur nga 25 gusht 2022”, thuhet ndër të tjera në letrën e tyre.

Më tej, është thënë se SBAShK-u është i befasuar me kualifikimin që Avokati i Popullit ia ka bërë organizimit të tyre sindikal.

Në letrën e tyre thuhet se ekziston një mospërputhje midis ligjëshmërisë që mund ta kenë dy proceset pararelisht, pra ai i grevës dhe i cënimit të së drejtës së fëmijëve.

“E dyta nuk mund të mos e shprehim befasinë tonë që përballë situatës aktuale kur ka organizim të ligjshëm sindikal, mos fillimin e procesit mësimor në shkolla, Ju e kualifikoni si cënim të së drejtës së fëmijëve në arsim. Me gjithë respektin, nuk mund të pajtohemi me një konstatim të tillë sepse, njëkohësisht nuk mund të ketë cënim të së drejtës në arsimim dhe ushtrim të ligjshëm të të drejtës në grevë. Këto dyja së bashku nuk shkojnë”, thuhet ndër të tjera në letrën e tyre.

Kujtojmë se punëtorët e arsimit në Kosovë janë në grevë për shkak se Qeveria e Kosovës nuk ka plotësuar kërkesat e tyre.

Ministria e Financave ua ka ndalur pagat grevistëve por më pas është tërhequr nga ky vendim pas kundërshtimit të ashpër nga shoqëria civile dhe subjektet opozitare.

Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por takimi mes tyre nuk ka prodhuar ndonjë rezultat. Greva vazhdon. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.