
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me SBAShK-un nuk ka munguar as dialogu as komunikimi por sinqeriteti nga ta, raporton Gazeta10.
Kurti ka përmendur takimin që ka pasur me Këshillin Grevist dhe ka thënë se ata kishin kishin deklaruar ndryshe gjatë takimit dhe kishin vepruar ndryshe jashtë tij.
“Pasi që dalin nga takimi jonë dalin para mediave dhe thonë greva vazhdon. Nuk kanë mundur ta konsultojnë anëtarësinë më shumë se sa një anëtar të vetëm me të cilin kanë mundur të flasin në telefon”
Kurti ka thënë se ata vazhduan grevën pavarësisht konsultave.
“Në vend se të thonë se diskutimet vazhdojnë ata thanë greva vazhdon”, ka thënë më tej Kurti.
Ai ka thënë se nuk kanë munguar kontaktet mes tyre por ka munguar sinqeriteti.
“Nuk ka munguar as komunikimi as dialogu, po mungon sinqeriteti”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë se punëtorët e arsimit janë në grevë në nivel vendi meqë Qeveria e Kosovës nuk po plotëson kërkesat e tyre.
Ministria e Financave fillimisht ua ka ndalur pagat grevistëve por më pas është tërhequr nga ky vendim meqë ka pasur një reagim të ashpër nga subjektet opozitare dhe shoqëria civile. / Gazeta10