
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës ka thënë se trajtimi i dinjitetshëm i mësimdhënësve bëhet përmes trajtimit të tyre në Projektligjin për paga, raporton Gazeta10.
Nagavci fillimisht ka folur për buxhetin e arsimit ku theksin e ka vendosur tek rritja e saj.
“Buxheti i arsimit për këtë vit është 12% më i madh se sa i vitit të kaluar”, ka thënë Nagavci.
Nagavci ka thënë se Projektligji për paga e rregullon njëherë e mirë statusin e tyre.
“Trajtimi i dinjitetshëm i mësimdhënësve bëhet duke i trajtuar me dinjitet ata në Projketligjin për paga, me ligj që njëherë e mirë rregullon statusin e tyre”, ka thënë Nagavci.
Tutje, Nagavci ka thënë se janë të vetëdijshëm se sa shumë punë i pret në arsim.
“Ne jemi tepër të vetëdijshëm se sa shumë punë duhet në sistemin e arsimit, andaj jemi të përkushtuar në këtë drejtim”, ka thënë më tej ajo.
Kujtojmë se punëtorët e arsimit janë në grevë në nivel vendi meqë Qeveria e Kosovës nuk po plotëson kërkesat e tyre.
Ministria e Financave fillimisht ua ka ndalur pagat grevistëve por më pas është tërhequr nga ky vendim meqë ka pasur një reagim të ashpër nga subjektet opozitare dhe shoqëria civile. / Gazeta10