
Ministria e Ekonomisë ka lëshuar një thirrje për qytetarët e Kosovës në lidhje me aplikimin për subvencionim të efiçiencës energjetike në shtëpitë individuale.
Aktualisht, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka hapur thirrjen për subvencione, të cilat kërkojnë një raport të auditimit nga Auditorët e Certifikuar të Energjisë.
Në një komunikatë, Ministria e Ekonomisë ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së qytetarëve nga abuzimet me çmime dhe ka inkurajuar denoncimin e çdo dyshimi për keqpërdorime pranë institucioneve kompetente, si Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
“Aktualisht Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka të hapur thirrjen për subvencionim të efiçiencës në shtëpitë individuale, për të cilën kërkohet raport i auditimit nga një ndër Auditorët e Certifikuar të Energjisë. Për t’u siguruar që të gjithë qytetarët janë të mbrojtur nga abuzimet me çmime, ju inkurajojmë që të raportoni çdo dyshim për abuzim tek Autoriteti i Konkurrencës, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT: 0800 11000 apo/edhe Divizionin e Efiçiencës së Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë: 038 200 215 55. Në lidhje me këto shqetësime, Ministria e Ekonomisë ka ndarë me të gjithë auditorët sqarimin se ata duhet të respektojnë në përpikëri rregulloren për Sistemin e Ofruesve te Shërbimit Energjetik dhe Kriteret Minimale për Auditim Energjetik 05/2020 si dhe Kodin e Mirësjelljes (https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=28177)”, thuhet në njoftim.