
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktin e akuzës kundër 45 personave kundër sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në mesin e tyre edhe për Milan Radoiçiq, raporton Gazeta10.
Meqenëse Radoiçiq së bashku me një pjesë të grupit terrorist ndodhen në Serbi, avokati dhe njohësi i çështjeve juridike, Ardian Bajraktari për emisionin Raport tregoi se si veprohet në rastet e tilla.
“Tani me kodin e procedurës penale ekziston mundësia e gjykimit në mungesë, sipas nenit 303 të kodit të procedurës penale nën supozimin se plotësohen disa elemente. Fillimisht kateogoria e veprave penale ku hyjnë kateogoria e veprave të rënda, e pastaj prokurori i çështjes duhet ta bind gjykatën se është bërë përpjekje e arsyeshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë e që përkundër përpjekjeve ka qenë e pamundur sigurimi i prezencës”,bëri të ditur Bajraktari.
“Publikimi i aktakuzës në faqen zyrtare të institucionit të prokurorit të shtetit e pastaj në gjykatë ku zhvillohet procedura, e sigurisht që edhe në gazetën zyrtare bëhet ftesë për të pandehurin që të paraqitet pranë organeve, ftesë për çdo person që ka informata për personin në fjalë”, shtoi ai.