
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar qartësi juridike lidhur me pasojat e tejkalimit të afatit kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një reagim të publikuar pas zhvillimeve të fundit, KDI vlerëson se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve dhe tejkalimin e krizës institucionale, por thekson se çështja e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese duhet të sqarohet nga kjo e fundit.
“Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është një hap i domosdoshëm për funksionimin normal të institucioneve demokratike dhe për tejkalimin e krizës institucionale në të cilën vendi është përfshirë”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Megjithatë, sipas KDI-së, nëse Kuvendi konstituohet pas skadimit të afatit 30-ditor, shtrohet një çështje e rëndësishme juridike që kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
“Konstituimi eventual i Kuvendit pas tejkalimit të afatit kushtetues 30-ditor ngre një çështje të rëndësishme juridike, e cila kërkon përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”, thekson KDI.
Instituti i referohet edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku deputetëve të zgjedhur u është përcaktuar që “sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”.
KDI thekson se subjektet politike dhe deputetët nuk mund ta përcaktojnë vetë efektin juridik të dispozitave kushtetuese dhe vendimeve të Gjykatës.
“Subjektet politike dhe deputetët e tyre nuk mund të përcaktojnë vetë kuptimin dhe efektin juridik të dispozitave kushtetuese dhe aktgjykimeve të Gjykatës”, thuhet në reagim.
Për këtë arsye, KDI u ka bërë thirrje deputetëve dhe palëve të autorizuara që të kërkojnë interpretim lidhur me pasojat e tejkalimit të afatit, statusin juridik të konstituimit të Kuvendit pas skadimit të tij dhe vlefshmërinë e veprimeve që Kuvendi mund të ndërmarrë pas konstituimit.
“Kjo çështje nuk duhet të shihet vetëm përmes prizmit të krizës së sotme. Ajo ka rëndësi për mënyrën se si do të funksionojë rendi kushtetues i Kosovës edhe në të ardhmen”, vlerëson KDI.
Sipas institutit, respektimi i afateve kushtetuese lidhet drejtpërdrejt me sigurinë juridike dhe stabilitetin institucional.
“KDI beson që kjo çështje prek sigurinë juridike dhe stabilitetin institucional të vendit”, thuhet në reagim.
KDI ka vlerësuar se një vendim i ri i Gjykatës Kushtetuese do të ndihmonte në unifikimin e interpretimit dhe do t’u mundësonte deputetëve dhe institucioneve të vepronin mbi një bazë të qartë juridike.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për institucione që funksionojnë, por kanë po aq nevojë që këto institucione të funksionojnë brenda rendit kushtetues”, përfundon reagimi i KDI-së.