
Raporti: Saranda Aliu
Subjekti më i madh opozitar, ka mbajtur Konventën Programore të Gruas Demokratike.
Me moton “Bashkë 50/50”, gratë e Partisë Demokratike të Kosovës, u mblodhën me qëllim të fuqizimit të gruas në vendimmarrje.
Në këtë organizim s’kishte si të mungonte i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Sipas Krasniqit, pabarazia gjinore është problem real në Kosovë dhe për këtë ai u zotua se deri në vitin 2025, do të arrijë përfaqësimin e barabartë gjinor në të gjitha pozitat udhëheqëse.
Ndërsa nënkryetarja, Vlora Çitaku, tha se në PDK burrat e gratë janë të barabartë dhe se sipas saj, aty nuk ekziston një tavolinë për burra e një për gra.
Pjesëmarrëset e kësaj konvente thanë se do të punojnë shumë për t’i dhënë hapësirën që u takon grave, të cilave çdo ditë u shkelen të drejtat elementare.
Konventa e Gruas Demokratike të Kosovës, është organizuar për të parën herë në këtë formë.
Aty morën pjesë, zyrtarë të lartë të këtij subjekti politik e dhjetëra vajza dhe gra nga të gjitha strukturat e PDK-së, në nivel Kosovë, ndërsa kishte edhe mysafirë nga Amerika. / Kanal10