
Në rigjykimin ndaj Leotrim Selimit dhe Bejtë Hasanit, të akuzuar për vrasjen e rëndë në shkurt të 2021-ës në Mitrovicë, të hënën u dëgjua i psikiatrisë eksperti Tahir Bunjaku, i cili tha se i akuzuari Selimi pa fajin e tij ka rënë në tronditje mendore.
Në këtë rast, Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Mehmeti, e ka pyetur ekspertin nëse tronditja mendore ka ardhur pa fajin e të pandehurit, pasi sipas aktakuzës rezulton se të pandehurit të gjithë së bashku kanë shkuar në vendin ku ka punuar viktima, dhe të dëmtuarit tjerë, dhe në bazë të dëshmive të pandehurit aty kanë shkuar të armatosur.
Bunjaku tha se në rastin konkret frika e paraqitur tek i pandehuri Selimi i ka shkakuar tronditje të fortë mendore, duke e bërë që mos t’i kontrollojë veprimet e tij dhe mos të logjikojë për pasojat e këtyre veprimeve.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Bejtë Hasani, avokati Skender Musa kërkoi nga trupi gjykues që ekspertiza psikiatrike për të mbrojturin e tij t’i kthehet Institutit të Psikiatrisë Forenzike, me arsyetimin se ka të meta të qëllimshme, pasi i mbrojturi i tij ka histori të trajtimit mjekësor dhe përdorë medikamente.
Në fund, gjykata vendosi që në seancën e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor të dëgjohet kryetarja e komisionit të ekspertëve lidhur me ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit Bejtë Hasani.
Seanca e radhës pritet të mbahet muajin e ardhshëm.