
Disa shkolla turke u mbyllën disa ditë më parë në Shqipëri sepse nuk plotësonin standardet ligjore, deklaroi Ministria e Arsimit. E përditshmja turke Daily Sabah raportoi se ato “shkolla janë të lidhura me aktivitetet guleniste në Shqipëri (FETÖ).
Por reagimi i kryeministrit Rama ishte i fortë. “Është shkelje të kryesh veprimtari diku tjetër pa plotësuar standardet e kërkuara me ligj, pa marrë leje sipas ligjit dhe ligji parashikon marrjen e licencës”, kishte reaguar Rama.
Uudhëheqësit e shkollës dhe prindërit po protestojnë për mbylljen e tyre duke akuzuar kryeministrin Rama.
Ai të hënën sërish ka reaguar në Twitter duke thënë se nuk do të lejojë institucione arsimore në kundërshtim me ligjin.
“Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera” ka shkruar Rama.
Në mesin e shkollave të mbyllura ishte kolegji privat turk, “Mehmet Akif”, i cili operonte në Tiranë që 26 vjet.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i 22 shtatorit, pason mbylljen e një kopshti privat për fëmijë, “Zubeyde Hanim” një ditë më parë.
Udhëheqësit e këtij të fundit thanë se i kanë përmbushur të gjitha detyrimet, dhe i plotësojnë të gjitha kushtet.