
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sot ka deklaruar se Qeveria mbetet e përkushtuar në ndriçimine fatit dhe vendndodhjes së personavetë pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Ai këto komente i bëri sot gjatë një takimi me shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi, shoqëruar nga Martina Fava, koordinatore për personat e zhdukur dhe familjet e tyre në Ballkanin Perëndimor, ku u bisedua mbi çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
“Temë qendrore e takimit ishte çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Qeveria mbetet e përkushtuar në prioritizimin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve, vendosjes së drejtësisë dhe urgjencës humanitare në lidhje me këtë çështje.
Duke theksuar se Kosova e ka ngritur çështjen e personave të zhdukur me forcë edhe në Bruksel, e falënderova Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës, për mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur me forcë dhe punës së bërë në këtë drejtim.”, ka shkruar ai në Facebook./Gazeta10