
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të reagojë në mënyrë të vendosur ndaj veprimeve të Serbisë, pasi dje Qeveria serbe ka miratuar një projektligj për shpalljen e Kosovës “zonë të veçantë sociale të mbrojtur”.
Bislimi ka pyetur se cili është perceptimi i BE-së për Serbinë.
“Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë? Ai që në mënyrë të pabesueshme përpiqet të shfaqet si “konstruktiv” duke deklaruar përkushtimin e tij ndaj procesit apo ai që miraton projektligje të tilla dhe shkel vazhdimisht marrëveshjet dhe cenon integritetin dhe sovranitetin tonë territorial? BE-ja si ndërmjetës duhet të përgjigjet dhe të reagojë në mënyrë të vendosur”, ka shkruar Bislimi në “X”.
Bislimi ka thënë se Serbisë në mënyrë të vazhdueshme e pengon procesin e dialogut, duke shkelur parimet dhe frymën e marrëveshjeve.
Ai tha se veprimet e njëpasnjëshme te Serbisë nxjerrin në pah konstruktivitetin e rrejshëm.
“Përmes lëvizjeve të vetë Serbisë në terren, duke përfshirë nxitjen e përshkallëzimeve në 3 vitet e fundit, sulmin në Banjska, sulmet kundër institucioneve tona, inkursionin në territorin tonë dhe rrëmbimin e policëve, barrikadat në veri, MIG-të që fluturojnë pranë kufirit tonë duke vendosur ushtria në gatishmëri të plotë dhe të lartë luftarake dhe tani, me projektligjin e persekutimit të paraqitur dje, konstruktiviteti i tyre i rremë vazhdon të ekspozohet”, ka shtuar tutje Bislimi.