
Raporti Gresa Bardhecaj/Kanal10
Organizatat e dala nga lufta, i kanë kundërshtuar deklarimet e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova se Specialja nuk është formuar nga raporti i senatorit Dick Marty, por nga pretendimet për krimet e kryera gjatë periudhës 1998-2000. Nga OVL-UÇK kanë kërkuar që kjo gjykatë të mos ekzistoj fare, shkruan Kanal10.
Që nga formimi i Gjykatës Speciale, për herë të parë kryetarja e Dhomave të Specializuara ka thënë se baza për themelimin e Gjykatës Speciale nuk ishte raporti i senatorit Dick Marty.
Madje kryetarja Trendafilova, sipas një dokumenti të siguruar nga Gazeta10, ka thënë se kjo gjykatë u themelua mbi pretendimet e krimeve të kryera gjatë luftës.
Këto pretendimet të kryetares Trendafilova, i kanë kundërshtuar organizatat e dala nga lufta.
Faton Kliniaku nga OVL UÇK ka thënë se në Ligjin për Dhomat e Specializuara specifikohet se si është themeluar kjo gjykatë dhe mbi çfarë baze.
Klinaku ka thënë se nëse nuk është themeluar Gjykata Speciale në bazë të raportit të Dick Martyt, atëherë nuk është dashur të formohej fare.
Edhe avokati Taulant Hodaj ka thënë se deklarimi i kryetares Trendafilova dhe ajo se çfarë thuhet në historikun e themelimit të kësaj gjykate, bie në kundërshtim me njëra tjetrën.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se për periudhën mes viteve 1998-2000, nuk ishin hetuar dhe nuk ishin ndjekur penalisht të dyshuarit.
Sipas saj, kishte shqetësime se për trajtimin e këtyre krimeve duhej siguruar një mjedis i përshtatshëm për administrimin e duhur të drejtësisë me anë të krijimit të dhomave të veçanta e të dedikuara gjyqësore për kryerjen e këtyre proceseve penale./Gazeta10