Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

“S’mund mund të përgjigjem sepse me inkriminon”, Buja nuk përgjigjet në pyetjet që i bëhen në Hagë

Gazeta10
04 November 2024 - 11:33

Ndonëse pyetjet i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace, Shukri Buja nuk përgjigjet në asnjërën prej pyetjeve të tij me arsyetimin se inkriminohet.

Madje ai tha se qëndron pranë asaj që kishte deklaruar kur u pyet se a i pranon garancitë sipas Rregullës 151 (3) që parasheh mosinkriminimin e dëshmitarit në ato që thotë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshiroj që të qëndroj pranë asaj që kam deklaruar në deklaratë”, tha Buja.

Fillimisht, kryegjyqtari e njoftoi Bujën se mund të bëjë kërkesë për pushimin e hetimeve, duke shtuar se sot është i detyruar për të dëshmuar.

“Ju jeni të ftuar për të dhënë dëshmi dhe ju jeni të detyruar për të dhënë dëshmi, jeni të detyruar që ta thoni të vërteten dhe në qoftë se mendoni se mund ta inkriminoni vetën, atëherë e keni avokatin afër dhe ai mund të udhëzojë dhe ndihmojë me këshilla juridike sikur se ndodhi edhe sot”, tha kryegjyqtari.

Ai tha se në qoftë se e konsideron vetëinkriminuese, Buja ka të drejtën ligjore që të mos përgjigjet në ndonjë pyetje deri kur trupi gjykues e detyron që të përgjigjet në bazë të rregullës 151 (2) dhe ju jep garancitë sipas rregullës 151 (3)

Pace e pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë nofkë. Buja tha se nuk mund të përgjigjet.

“Nuk mund të përgjigjem sepse me inkriminon”, tha Buja.

Prokurori e pyeti serish dëshmitarin se a ka qenë i njohur me nofkën “Gazetari”, pasi për të vazhduar me pyetje të tilla u lejua nga kryegjyqtari.

“Nuk mund ta konfirmoj sepse me inkriminon”, tha Buja.

Prokurori e pyeti se a ka qenë i njohur me emrin “Sokoli” në ndonjë moment kohor.

“Nuk mund të përgjigjem”, tha serish Buja.

Ai tha se nuk mund të përgjigjet se inkriminohet edhe kur u pyet se çka ka qenë LPK-ja.

Dëshmitari tha se nuk mund të përgjigjet edhe kur u pyet se a ka qenë ndonjëherë anëtar i LPK-së.

Pas kësaj, ndërhyri kryegjyqtari duke thënë se në qoftë se nuk përgjigjet në pyetje ashtu siç është udhëzuar nga trupi gjykues, atëherë ndaj tij mund të merren masa.

“Dëshmitar unë ua rikujtoj edhe njëherë se mbas deklaratës solemne që e keni lexu pak përpara, jeni i detyruar që të thoni të vërteten sipas Rregullores dhe Ligjit iu këshilloheni dhe unë iu kam këshilluar tashmë që nuk ka nevojë t’i përgjigjeni një pyetje që është vetëinkrimunuese përveç se në qoftë se detyroheni që të përgjigjeni me garanci sipas rregullës 151 (3) që iu ofrohet. Ju kishit mundësi që ta diskutoni këtë me avokatin tuaj. Ju duhet ta keni të qartë se në qoftë se gjykata iu urdhëron që të përgjigjeni një pyetjes iu duhet t’i përmbaheni këtij detyrimi. Në qoftë se ju nuk iu përgjigjeni pyetjeve mbasi iu ka udhëzuar trupi gjykues që të përgjigjeni atëherë ndaj jush mund të merren masa”, tha kryegjyqtari.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.