
Në bashkëbisedim të drejtpërdrejtë, kandidati nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza gjatë vizitës së tij në Gjermani u takua me mërgimtarët që jetojnë atje, raporton Gazeta10.
Ai përgjatë intervistës për emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal10, komentoi edhe sektorin e drejtësisë në vend, të cilin e quajti si të mbingarkuar, për të cilin konstatoi se ka shumë lëndë që presin me vite të tëra për trajtim.
“Konstatimi juaj që ka shumë lëndë që presin me vite për trajtim, sidomos në pjesën civile është shumë i saktë. Viteve të fundit, jo që s’kemi ne zvogëlim të numrit të lëndëve që po presin në gjykata por kemi një rritje diku për 80,000 lëndë”, deklaroi Hamza.
E kjo sipas tij, po bëhet si shkak i numrit të vogël të trupit gjykues.
“Një drejtësi e vonuar nuk mund t’i thuash edhe drejtësi, andaj nuk mund të themi se nuk i kemi gjyqtarët e mirë, por i kemi të mbingarkuar. Për me zvogëlu numrin e lëndeve ne duhet ta rrisim numrin e gjyqtarëve”, shtoi ai.