
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, iu përgjigj kritikave për marrëveshjen e fundit me Rusinë të nënshkruar në selinë e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se vendi i tij po sulmohet brutalisht vetëm për një dokument burokratik, të cilin e vlerësoi pa asnjë peshë të rëndësishme.
Vuçiç akuzoi mediat se abuzojnë qëllimisht me informacionet për të bërë propagandë kundër Serbisë.
Reagimi i tij vjen pasi socialdemokratët në Parlamentin Europian kërkuan ndërprerjen e procesit të pranimit të Serbisë në BE, dhe pasi zëdhënësi i unionit Peter Stano, lëshoi një sërë kritikash për ujdinë mes Beogradit dhe Moskës për konsultime të shpeshta dhe bashkëpunim në politikën e jashtme.
Presidenti serb tha se e di shumë mirë nga i vjen presioni për të marrë vendime të vështira, por nuk pranoi të japë shumë detaje, siç tha ai për të mos dëmtuar vendin.
“Unë nuk po luftoj për Putinin apo Bidenin. Jo për askënd. Unë po luftoj për të gjithë qytetarët e Serbisë, për këtë vend. Nuk më interesojnë liderët e huaj, apo gjithçka që ata kanë për t’i thënë Serbisë. Por po shikoj që në këto momente të vështira, Serbia të mos jetë nën sulmin e tyre”, tha ai.