
“Lufta politike para 9 shkurtit” ka qenë tema e së martës në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun, teksa të ftuar kanë qenë komentatorët politikë Halil Matoshi, Adrian Çollaku, Shqipe Pantina, Nexhmedin Spahiu dhe Blerim Gashi.
Gazetari dhe njëherësh analisti politik, Halil Matoshi ka komentuar tubimet e liderëve të partive politike në diasporë.
Vendimin e partive politike për të shpërfaqur programin e tyre në diasporë, Matoshi e ka cilësuar si “absurd”.
“Diasporës realisht ua kisha hjek të drejtën e votës me automatizëm. Nuk kanë çka lypin ata me ndiku jetën e njerëzve në Kosovë. Mund të bëhet një ligj i posaçëm me i pasë dy përfaqësues, e jo me ndiku jetën e njerëzve që jetojnë këtu”, ka thënë Matoshi.
Ai ka thënë gjithashtu se diaspora nuk mund të ndikojë në jetën në Kosovë përmes votës.
“Nuk është as morale. Është shumë absurde ata me ndiku jetën tonë këtu. Është e patolerueshme”, ka thënë Matoshi.
Një mendim ndryshe e ka pasur komentatorja politike, Shqipe Pantina, e cila ka thënë se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje porse me pjesëmarrje të kufizuar.
“Diaspora duhet të marrë pjesë në zgjedhje, por në këtë ligjin e zgjedhjeve kam menduar që të lihen vende të caktuara për diasporën që ata të zgjedhin pjesëmarrësit e tyre”, ka thënë Pantina.
Tutje, në studion e ‘Politikos’ është diskutuar edhe vizita e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit në rezidencën e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës, i cili ka bërë të ditur se punimet në restaurimin e rezidencës janë drejt përfundimit.
Analisti politik, Adrian Çollaku ka thënë se Kurti po mundohet të kopjojë Thaçin, megjithatë ka theksuar se ka disa dallime mes tyre.
“Hashim Thaçi bajke kësi stila, por ai ka qenë ma konkret. I ka rritur pagat pak ma herët, i ka rritur më shumë. Po munohet me kopju nuk po shihet që ka një platformë”, ka thënë Çollaku.
Çollaku ka theksuar se pret ashpërsim të gjuhës ndërmjet pushtetit dhe opozitës, ngaqë sipas tij, Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve.
“Do të ketë edhe më shumë ashpërsim për shkak që VV krijon narracionin që këta janë bashkë kundër neve dhe opozita për tri a më shumë vite ka qenë shumë e heshtur”, ka thënë Çollaku.
Vizitën e kryeministrit Kurti në shtëpinë e Rugovës, analisti politik Blerim Gashi e ka cilësuar si vendim joautentik dhe jo të duhur.
Gashi ka hedhur dyshime nëse renovimi i rezidencës ka të bëjë me tentimin e VV-së për të futur në listë zgjedhore ndonjërin djalë të ish-presidentit Rugova.
“Autentike s’është hiç. Me më pëlqy s’po më pelqen hiq. Renvovimi i rezidencës së presidentit Rugova, s’po di tash a kanë me ia pagu peletin apo po ia shtijnë njanin fëmijë në listë që me kyç sikur këto partitë e tjera”, ka thënë Gashi.
Tutje, ai nuk ka kursyer kritikat për kryeministrin Kurti, duke ia rikujtuar edhe deklaratat e mëhershme që ky i fundit kishte pasur për Rugovën.
“Shkuarja te rezidenca e dikujna që ma herët e ke akuzu si sekser të opozitës e të tjera nuk e shoh si të duhur”, ka thënë Gashi.
Komentatorja politike, Shqipe Pantina këtë vizitë të Kurtit tek familja Rugova e ka konsideruar si veprim elektoral.
“Në një anë, familja Rugova patjetër që do ta lejonte kryeministrin për vizitë se nuk munden me ia mbyll derën. Renovimi është një nga punët që administrata i kryen, pa përfshirjen e kryemistrit. Është totalisht veprim elektoral sepse Kurti po mundohet me të njejtën strategji”, deklaroi Pantina në studion e “Politikos”.
Sipas saj, këto veprime ngjasojnë me ato të ish-presidentit Thaçi, i cili vizitonte varrin e presidentit Rugova në kohë zgjedhjesh.
“Edhe Thaçi i shkonte te varri i Rugoves para zgjedhjeve. Mendoj që strategjia që Kurti ka filluar ta përdorë është mbrojtja më e mirë nga sulmi”, shtoi ajo.
Në ndërkohë debate të forta në ‘Politiko’ janë zhvilluar për qeverisjen Kurti, ku nuk kanë munguar kritikat dhe përplasjet e forta.
Analisti Spahiu ka thënë se ka luftë hibride në Kosovë, teksa ka theksuar se Serbia është e interesuar për ta rrëzuar kryeministrin Kurti.
“Serbia është e interesuar për ta rrëzuar kryeministrin Albin Kurtin. Ai mundet me kanë joadekuat për me qenë kryeministër i cili Serbisë i ka shkaktu shumë telashe”, ka thënë Spahiu.
Megjithatë, Spahiut i reaguan komentatorët politikë.
“A ka Serbia a Kosova sanksione. Në kohën e kujt i ka këto sanksione”, ka pyetur analisti Çollaku.
“Atë çka ka humb Kosova me sanksione dhe çka ka fitu me marrjen e veriut nën kontroll, është e pakrahasueshme”, është kundërpërgjigjur Spahiu.
“Mas pakti Serbisë i intereson me rrëzu Albin Kurti sepse Serbisë i intereson që Kosova me qenë në sansksione permanente dhe me u prish me aleatë”, ka thënë analisti Matoshi.
Por analisti Spahiu është kundërpërgjigjur sërish, duke thënë se Serbisë nuk i intereson që Kosova ta ketë veriun në kontroll.
Granti prej 100 mijë eurosh i fituar nga vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit ka shkaktuar gjithashtu debat të ashpër në studion e “Politikos”.
Analisti politik, Blerim Gashi ka akuzuar mediet në Kosovë për pozicion opozitar.
“Mediave të caktuara u intereson me dalë Fitorja dhe Faton Peci, i cili ka qenë ministri më i suksseshëm jo vetëm i kësaj qeverie por edhe krejt qeverive”, ka thënë Gashi.
“E qito informacione të fituesve të granit që i kanë publiku mediat, ku i kanë marrë?”, e ka pyetur analistja Pantina.
“Pse dul veç vëllai i Fitores, e këtë listen tjetër?”, është kundëpërgjigjur Gashi.
Gashi ka këmbëngulur se disa medie anojnë kah partite opozitare, duke e arsyetuar këtë deklarim me paraqitjen e deputetëve opozitarë në televizione.
Megjithatë, një reagim të ashpër pas kësaj deklarate e ka pasur gazetari Matoshi.
“Qysh bre z.Gashi po ki ftyrë me fol, katër ditë e ka themelu kompaninë e mas katër dite ka marrë 100 mijë euro”, ka thënë Matoshi.
“More nuk i ka plotësu kushtet”, ka shtuar Pantina.
“Edhe një orë përpara nëse e ka themelu kompaninë nëse i ka plotësu kushtet. Në qoftë se nuk i ka plotësu je ka bon propaganda”, ka thënë Gashi.
Në ndërkohë, komentatorët politikë kanë diskutuar edhe për përqindjet që pritet t’i marrin partitë politike në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025.
Çollaku ka thënë se Vetëvendosje është duke pësuar ‘defansivë’, ndërsa ka theksuar se nëse vazhdojnë me këtë ritëm do të marrin vetëm 39% në zgjedhjet e shkurtit.
“Sot nëse shkojmë në zgjedhje me këtë defanzivën e Albin Kurtit se nuk e kem pa Albinin në fushatë, VV-ja është me 39%”, ka thënë Çollaku.
Sipas Çollakut, “lufta” për vend të dytë i takon Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Lufta për vend të dytë është LDK dhe PDK. LDK-ja është pak ma mirë duke u shfaq”, ka thënë Çollaku.
Por megjithatë, ai është kundërshtuar nga analisti Gashi, i cili ka thënë Lëvizja Vetëvendosje pa diasporën do të marrë 45%.
“Aktualisht sot pa diasporën, VV mund të marrë 43 deri në 45%. Me diasporën mendoj që e mbërrin 49%”, ka thënë Gashi, i cili ka theksuar ai nuk është kyçur ende në ‘luftën’ politike.
Nga ana tjetër, Matoshi ka vlerësuar se pa temën e veriut, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë rënie të lirë.
“Pa temën e veriut, LVV ka rënie të lirë se s’kanë punu bash kurgjo. Me veriun del 38-40%. Opozita me numra ka me ba ma shumë numra, por është e shkapërderdhur, nuk ka me u unifiku kurrë”, ka thënë Matoshi.
Ndryshe, partitë politike në vend veçse janë mobilizuar për zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025. Ato kanë filluar prezantimin e progamit për të qeverisur vendin ndërsa kanë ndarë edhe kandidatët për deputetë.
Në të njëjtën linjë, sa më shumë që afrohet koha e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë aq më shumë ‘egërsohet’ diskursi në skenën politike, ku politikanët nuk kursehen me kritika e akuza për kundërshtarët politikë.