
Analisti politik, Halil Matoshi, ka thënë se pezullimi i grevës është akt partriotik, raporton Gazeta10.
Më tej, Matoshi ka thënë se propozimi që të pezullohet greva deri në janar 2023 është mundësi për të reflektuar si dhe një sprovë për pushtetin.
Matoshi ka thënë se sindikatat janë në të drejtën e tyre.
Analisti Matoshi ka thënë se shteti është në një potezë të tillë ku do ta tregojë veten nëse është në krye të detyrës.
Këtu keni statusin e plotë:
“SBAShK-u asht në të drejtën e vet – pezullimi i grevës asht akt patriotik!
Pezullimi i grevës deri në janar 2023 dhe nisja e mësimit më tre tetor (tue i lanë hapësinë Qeverisë për reflektim në dialogun social) asht lajm shumë i mirë që vjen nga SBAShK dhe sprovë për pushtetin.
Kushdo që nga tabori qeveritar e sheh këtë akt të vullnetit të mirë të Sindikatave, si thyemje të grevës e fitore të pushtetit, asht veç nji mbetje primitive dhe element kundërshoqor e kundërshtetnor!
Nëse pushteti (si bartës i dhunës legjitime) “ia palon” qytetarit, sindikalistit ose mësuesve nuk flet asgja për këto subjekte, por për karakterin e vet pushtetit.
Në thelb, kjo asht gjuhë rrugaçnie dhe jo institucionaliste.
Triumfalizmi flet për vetitë egërshane dhe dhunshme të eksponentëve të pushtetit dhe vet pushtetit!
Sëkëndejmi lëshimi pe i grevistave në çashtje që prekin interesin e fëmijëve asht patriotizëm!
Shteti asht në potez dhe ka shans të tregojë se asht në nivel të detyrës, pra funksional e jo bllokues i sistemit!
Sindikatat kanë të drejtë!
Pezullone grevën e mos bini pre e nënvetëdijes së shtresëzueme primitive të elementëve aksidentalë në pushtet!”, ka shkruar Matoshi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10