
Një përplasje ka ndodhur në studion e emisionit “Politiko” në Kanal 10 në mes ministrit Faton Peci dhe gazetarit Viktor Buzhala lidhur me luftimin e korrupsionit.
Buzhala iu drejtua Pecit duke i thënë se po hedh akuza për korrupsion në drejtim tek qeverisjet e kaluara, teksa i tha se e ka emëruar këshilltar ish-drejtorin e doganës, që siç tha ai, dogana në të kaluarën ka qenë kampione e korrupsionit.
“Ju po i akuzoni vazhdimisht qeveritë e kaluara për korrupsion. Sa i përket korrupsionit në qeveritë e kaluara dogana ka qenë kampion dhe ju shkoni e bëni këshilltar tuajin Naim Huruglicën, pa dashur të paragjykoj diçka për të, mirëpo e bëni atë, i cili ka qenë drejtor i doganave në kohën e PDK-së. Qysh po doni me e luftu korrupsionin përmes këtyre njerëzve dhe e dyta çfarë eksperti është Huruglica se e keni quajtur ekspert”, ka pyetur Buzhala.
Lidhur me këto akuza, Peci ka thënë se Huruglica nuk ka qenë pjesë e asnjë partie dhe se është prej figurave që ka pasur post publik, por që sipas tij, nuk ia ka drejtuar askush gishtin për keqpërdorim ose keqmenaxhim.
“Thatë se keni respekt për Huruglicën, veç respekt nuk paske në mënyrën qysh e portretizove. E dyta Naim Huruglica është ish-drejtor i doganës. Naim Huruglica është njëri prej atyre figurave që ka mbajtur mbajtur post publik dhe kurrkush nuk ka mujt me ia drejtu gishtin për keqpërdorim ose keqmenaxhim dhe unë besoj shumë në pastërtinë e tij”, ka thënë Peci. /Gazeta 10/