Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Debat i zjarrtë në ‘Politiko’, Haki Abazi akuzon pushtetin për korrupsion dhe keqpërdorim të fuqisë politike

Gazeta10
26 November 2024 - 17:39

Të hënën në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun ka qenë i ftuar deputeti i pavarur, Haki Abazi përballë analistëve politikë Blerim Gashit, Nexhmedin Spahiut dhe Branislav Kërstiq.

Deputeti i pavarur, Haki Abazi ka komentuar situatën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ku ai i ishte drejtuar pushtetit me fjalët “hajna, hajna qiti 100 mijë euro” gjatë fjalimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmanit.

Abazi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun ka thënë se Vjosa Osmani ka vendosur vulë mbi keqorientimin e shtetit dhe keqpërdorimin e fuqisë politike.

“Vjosa Osmani vendosi vulë mbi keqorientimin e shtetit dhe keqpëdorimin e fuqisë politike, të cilës unë i kam kontribu. Unë kam qenë pjesë e 50% të LVV-së për t’u përkthyer në keqpëdorimin e reverzave shtetëtore, për kontratat njëburimore pa transparencë, për aeroportin e Kosovës se si është aprovuar zgjatja e pistës…”, ka thënë Abazi.

Sipas Abazit, presidentja në fjalimin vjetor vendosi për herë të parë të hapë ‘librin e problemeve’, të cilat janë ekzistuese në këtë koalicion qeverisës

Ai gjithashtu i është kundërpërgjigjur  ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, i cili në ‘Politiko’ të enjten ka thënë se Abazi i ka kërkuar vazhdimisht favore për punësime, derisa e ka quajtur edhe ‘hipokrit të llojit të vetë’.

Abazi ka kërkuar nga moderatori Kushtrim Sadiku që të shikojë në telefonin e tij komunikimin me Pecin, ndërsa ka përmendur emra të përveçëm që ia ka referuar këtij të fundit, siç tha ai, me qëllim që të shtohet kapaciteti në Ministrinë e Bujqësisë.

“Këtu është pa komunikim fare, CV e Ariana Bunjakut, një eksperte e mjedisit dhe studimeve mjedisore nga Mitrovica. Me kërkesën e vetë Pecit më është kërku që të dërgohen CV të njerëzve që kanë mundësi me shtu kapacitet në Ministrinë e Bujqësisë”, ka sqaruar Abazi.

Abazi ka mohuar se ka kërkuar favore për punësime nga Peci.

“Parimet, integriteti dhe principi im nuk më lejon që të hyj atje. Ai e ka kap sikleti, unë s’kam fol për Fatonin, kur tham hajna është shumës, po nëse e ka mizën nër kapuç s’kam ça me ba”, ka thënë Abazi.

Tutje, Abazi është ‘përplasur’ me analistin politik, Blerim Gashi teksa kanë diskutuar për ‘gabimet’ e Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Sipas Abazit, Kurti ka treguar ‘indiferencë’ karshi ngjarjeve tragjike në vend.

“Në Prishtinë, situatë është edhe më keq sesa ka qenë. Nuk mundesh me u ba i shurdhër kur të vrahet gruaja shtatzanë nëntëmuajshe në oborr të QKUK-së. Nuk mundesh me mbet i heshtur kur vrahet vajza pesëvjeçare në Gjakovë”, ka thënë deputeti Abazi.

Ndaj një deklarate të tillë ka reaguar analisti Gashi.

“Cilat probleme? Atyne raporteve serioze që thojnë që është vendi më i sigurt mas Zvicrës? Ata janë ni shpi budallë s’dijnë apo?”, ka thënë Gashi.

“Nalu qetu. Këto që po i tham në parlament, në konferenca për shtyp dhe këtu janë vendime që i kam marrë”, ka thënë Abazi teksa debati mes tyre ka vazhduar.

Debati mes Gashit dhe Abazit ka vazhduar edhe për ‘revoltat’ e këtij të fundit në Kuvendin e Kosovës.

Gashi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadiku, ka kërkuar nga deputeti Haki Abazi, që të sqarojë arsyen e ‘revoltave’ në Kuvendin e Kosovës ndaj pushtetit aktual.

“Së pari, e shoh nevojën që deputetët qofshin ata pozitë ose opozitë ta kenë një farë uni vetanak politik. Kjo, Hakisë nuk i mungon. Sa i përket demokracisë, me këso far pelegrish të ngjitura me “Hajna” ose çka e di unë, besoj se është normale ta dimë se cili është motivi ose shtytja mbrapa kësaj”, tha ai.

Sipas Gashit, mosdhënia e argumenteve nga Abazi për keqpërdorimet dhe dyshimet e ngritua për korrupsion, e bën atë të duket si ‘joserioz’.

“Kur të thuash kontratat burmore, ti në start e ke dyshimin për të ardh aty sepse kemi të bëjmë me kontratat e negociaura, të cilat neni 34 e 35 i lejon prej fillimit. E kjo duhet të sqarohet. Edhe Hakia e di, që rrugës deri te ajo kritikë ti mund ta kesh njetin e mirë , por i ngjan keq. Po nuk e sqaroi Hakia motivin, nuk del serioz”, shtoi ai.

Gazetari serb, Branislav Kërstiq ka thënë se Lista Serbe nuk është komunitet serb, por organizatë mafioze.

“Lista Serbe është një organizatë mafioze e koordinuar nga Beogradi, e cila në Kosovë është e regjistruar si parti politike. Unë në flas në emër të 60% të qytetarëve të zakonshëm”, ka thënë Kërstiq teksa ka debatuar me panelistët në ‘Politiko’ lidhur me të drejtat e serbëve në Kosovë.

Tutje, deputeti i pavarur Haki Abazi ka thënë gjithashtu se Lista Serbe nuk i përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, ngaqë sipas tij, ata i kanë bojkotuar 10 ulëset e tyre në kuvend.

“Sipas Kushtetutës, Lista Serbe ka 10 ulëse në kuvend. Tashmë ato ulëse janë të zbrazura. Kjo rrjedhimisht i bie që interesi i komunitetit serb nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Abazi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.

Profesori dhe njëherësh analisti politik, Nexhmedin Spahiu teksa ka komentuar një deklaratë të mëhershme të deputetit Haki Abazi, i cili kishte shpërfaqur idenë e një referundimi për bashkim me Shqipërinë, ka thënë se ai ka shkelur betimin e tij si deputet.

Për më tepër, Spahiu ka thënë se Haki Abazi duhet të arrestohet.

“Unë e kam parë aktivizmin e Abazit edhe në shoqëri civile. Shkelja e betimit si deputet nga Abazi është vepër penale”, ka thënë Spahiu.

“A është e vërtetë që keni kërkuar të arrestohet Abazi”, ka pyetur moderatori Sadiku.

“Në çdo shtet normal që bën një deklaratë të tillë pavarësisht se a është shtet motër a armik se duhet me e pushtu shtetit tanë, kjo përbën një vepër kundër rendit kushtetues dhe në çdo shtet normal, një njeri i tillë duhet të arrestohet”, ka thënë Spahiu i cili tha se ai e ka provokuar rëndë shtetin e Kosovës.

Spahiu ka theksuar se nëse Kosova do të rrezikohej nga një luftë, ai do të merrte armën për ta mbrojtur shtetin nga kushdo që cenon territorin e saj.

“Ne po rrezikohemi prej një lufte civile sepse derisa mbesim me deklaratë kështu edhe mund të flasim. Por nëse dikush merr armën edhe me bo Kosovën pjesë të Shqipërisë, unë kam me marr armën me mbrojt shtetin e Kosovës”, ka thënë Spahiu.

“Do luftoje kundër Shqipërisë”, është pyetur nga moderatori Sadiku.

“Do luftoja kundër  kujtdo që don me shkatërru shtetin e Kosovës”, ka thënë Spahiu.

Debat i ashpër u zhvillua gjithashtu në mes të deputetit Abazi dhe gazetarit Kërstiq.

“Mollë sherri” u bënë të drejtat e komunitet serb në Kosovë, për të cilat dy panelistët ndan mendime të ndryshme.

“Një komunitet që përbën maksium 5% të popullatës në Kosovë”, ishte fjala e deputetit Abazi e cila u ndërpre nga ajo e analistit Kerstiq.

“Qysh 5%, ku janë 200mijë serb të larguar nga Kosova? Sa përqind kemi qenë para luftës? Sipas të dhënave nga Kosova gjatë luftës 167 mijë, 2003-ta 163 mijë serb që domethënë 330mijë serb i keni pasë, ajo është ofendim. Është ofendim, jeni në të njejtën rrugë me z.Kurti”, ka reaguar Kërstiq.

Megjithatë, Abazi ka theksuar se serbët kanë të drejta të dyfishta në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

“Jo, nuk është ofendim. Serbët kanë të drejta të dyfishta në Kushtetutën e Kosovës në dhjetë vendet e garantuar aty. Nuk po mundeni me e dëgju argumentimin. Ata njerëz për të cilët ti po flet, kanë sundu nën sundimin e Millosheviqit. Unë nuk jam për atë në një vijë me Kurtin, sepse nuk jam për asnjë metodë që bie nën kurthin e Vuçiqit”, tha Abazi.

Sipas deputetit Abazi, nga Kosova janë larguar të gjithë serbët që kanë kryer gjenocid në luftën e fundit.

Në ndërkohë në ‘Politiko’ nuk kanë munguar as deklaratat e forta.

Gazetari Kërstiq ka thënë se gruaja e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit është duke jetuar dhe punuar në Beograd.

“Gruaja e kryministrit tonë është e punësuar në Beograd”, ka thënë Kërstiq.

“Gruaja e kujt?”, është pyetur nga Sadiku.

Kërstiq është shprehur i bindur se gruaja e Kurtit është e punësuar në një kompani ndërkombëtare, e cila e monitoron dhe udhëheq prodhimin e elektricitetit në Serbi.

“Gruaja e z.Kurtit është duke punuar në Beograd. Është e angazhuar në një kompani ndërkombëtare e cila është duke monituru dhe udhëheq krejt prodhimin e elektricitetit në Serbi në shtetin e Serbisë”, ka thënë Kërstiq.

 

Deputeti i pavarur, Haki Abazi ka komentuar  gjithashtu audio-incizimin e publikuar të drejtorit të RTK-së, Rilind Gërvallës, në të cilin thotë se shkrimin e Slobodna Bosna e ka sjellë AKI-ja.

Abazi ka thënë se gjendja në RTK është e mjerueshme, ngaqë sipas tij, ajo ndikohet nga jashtë për formën se si duhet të menaxhohet.

“RTK është mjerim. Këtë e kam thane prej formës qysh është zgjedh bordi i menaxhimit dhe bordi i RTK-së dhe formave centraliste të intervinimit nga jashtë”, ka thënë Abazi.

Abazi ka thënë se nuk është detyrë e RTK-së e as e AKI-së që të demaskojnë mediet e tjera. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.