Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar drejtoreshën në ardhje për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe, Madelenie Knox si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, raporton Gazeta10.
Osmani ka thënë se me zyrtarët e lartë të Britanisë së Madhe kanë diskutuar për sfidat rajonale.
Po ashtu bëhet e ditur se është shprehur përkushtimi i Kosovës për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Edhe ceremonia e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II ka qenë pjesë e diskutimit.
“Presidentja Osmani e informoi znj. Knox mbi zhvillimin demokratik të Kosovës, sfidat rajonale, si dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin me partnerët britanikë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.
“Në takim u bisedua edhe për ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II në Londër, që mblodhi krerë shtetesh nga anembanë bota për ta nderuar trashëgiminë historike të Mbretëreshës së ndjerë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani vlerësoi lartë rolin bashkues të Mbretëreshës.”, thuhet më tej. / Gazeta10.