Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

​Kurti: Ejup Statovci – intelektual dhe akademik i rezistencës

Gazeta10
30 September 2022 - 23:22

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar kontributin dhe veprimtarinë shkencore, publike të profesorit njëherësh rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.

Kurti këtë vlerësim e dha në fjalën e tij, në nder të dokumentarit që u shfaq sonte kushtuar jetës dhe veprës së Statovcit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti, vlerësoi kontributin e rektorit Statovci, si një ndër ekspertët që hartuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator në Kaçanik.

“Deri në moshën 51 vjeçare, jeta e Ejup Statovcit ishte ajo e një profesori të përkushtuar dhe e një shkencëtari prodhimtar. Ajo do të mund të vazhdonte me këtë rrjedhë, sikur më 1991, kur Serbia i dëboi shqiptarët nga Universiteti i Prishtinës, të mos vinte në krye të Universitetit të Prishtinës si rektor. Në historinë e universitetit tonë, ai është rektori i 10-të në radhë, por Ejup Statovci është rektori më jetëgjatë, që e drejtoi Universitetin e Prishtinës, nga 26 nëntori i vitit 1991 dhe deri më 31 dhjetor 1997”, tha ai.

Kurti shtoi se profesor Ejup Statovci i qëndroi besnik formimit të tij kulturor, duke i përkthyer mendimet dhe bindjet e tij nga dije dhe besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar.

“Ai kuptoi saktë dhe drejt detyrat që ia jepte pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe rolin që ia kërkoi koha në shoqëri”, vijoi Kurti.

Kurti tha se profesor Ejup Statovci u bë pjesë e historisë në një mënyrë shumë autentike. Ajo listë e gjatë e publikimeve shkencore të Profesor Ejup Statovcit gjatë viteve të ’70-ta dhe të ’80-ta, u rrallua dukshëm në vitet ’90-ta, sepse në dekadën e fundit të jetës së tij, Profesor Ejup Statovci u kthye në akademik të rezistencës./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.