
Raporti: Bleona Dallaveraj
1 tetori shënon 25 vjetorin e protestës së studentëve që konsiderohet historike për Kosovën.
Protestën madhështore të 1997-ës e udhëhoqi ish-Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.
Këtë të shtunë në përvjetorin e saj, homazhe pranë varrit të ish-rektorit ka bërë kryeministri Albin Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka nderuar lartë veprën e Statovcit, derisa për protestën që udhëhoqi ai, ka thënë se luajti rol të rëndësishëm edhe për faktorizimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.
Bashkëshortja e ish rektorit, Drita Statovci, ka kujtuar fjalët e burrit të saj në ditën kur ai po nisej në protestë.
Për veprën e Statovcit ka folur edhe një nga udhëheqësit e lëvizjes studentore të asaj kohe, Bujar Dugolli.
Ky i fundit ka thënë se kryengritja 97-ës kundër regjimit serb ishte hapja e rrugës për ëndrrën e madhe të lirisë dhe pavarësisë.
Edhe Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina”, ka përkujtuar protestën historike të studentëve.
Tetori, përveç që shënon fillimin e vitit të ri akademik në vendin tonë, është edhe pjesë e pashlyeshme e historisë, falë ngjarjeve të vitit 1997, kur më 1 tetor të atij viti, UP-ja u shfaq në skenë si aktori kryesor në kthesën më të madhe historike për Kosovën. E thëna e para 25 vjetëve e rektorit Ejup Statovci se “Universiteti është me studentët dhe studentët janë të universitetit”
Në protestën e një çerek shekulli më parë morën pjesë mbi 25 mijë studentë.
Ishte Lëvizja Studentore që u organizua për ta kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga të cilat studentët ishin dëbuar nga regjimi Slobodan Millosheviqit. / Kanal10