
Raporti:Viola Korça
Këto banka të zbrazëta, pas më shumë se një muaji do të mbushen me nxënës të hënën e 3 tetorit.
Greva e përgjithshme në sektorin publik, është pezulluar deri në janar të vitit të ardhshëm nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Por, kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj ka kërkuar nga qeveria që të nxjerrë mësim dhe ta shfrytëzojë mirë këtë kohë për të plotësuar kërkesat deri në janar.
Ndërkaq, nga SBASHK-u janë shprehur se viti i ri shkollor do të jetë i suksesshëm dhe se nuk do të ketë dështim, pavarësisht orëve të humbura.
Kurse, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës Atdhe Hykolli, ka deklaruar se pagat për mësimdhënësit e shërbyesit civil që ishin në grevë do të dalin të hënën.
Por, mospagesa e grevistëve nga ana e qeverisë, sindikalistët e konsideruan shkelje të ligjit.
BSPK kishte shpallur grevë të përgjithshme nga 25 gushti, ku kërkesë kryesore ishte shuma prej 100 euro deri në miratimin e ligjit të pagave.
Gjatë kësaj kohe pati përplasje të shumta mes ekzekutivit dhe Këshillit Grevist, derisa u realizuan pak takime mes tyre, por sukses për marrëveshje. / Kanal10