
Të gjithë zyrtarëve publik të cilët kanë qenë në grevë muajin e kaluar, nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit shtator. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se pagat janë ekzekutuar vetëm zyrtarëve të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Sindikatat kanë paralajmëruar masa ndaj Qeverisë, derisa njohësit e drejtësisë kanë thënë se mosekzekutimi i pagave është në kundërshtim me ligjin.
Raporti Gresa Bardhecaj, Kamera Tonin Fejza.
Dita e hënë nuk ishte fillim i mbarë i muajit tetor për punëtorët e sektorit publik të cilët ishin në grevë gjatë muajit shtator.
Në xhirollogaritë e grevistëve nuk kanë figuruar pagat e muajit paraprak, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Mos ekzekutimin e pagave të muajit shtator e kanë konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës.
Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës kanë thënë se në rast të mos ekzekutimit të pagave, Qeveria ndëshkon të gjithë grevistët të cilët e kanë ushtruar një të drejtë të tyre.
Në anën tjetër, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë thënë se nëse edhe pas 5 tetorit nuk ekzekutohen pagat, do të mblidhet bordi për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm.
Këshilli i Prindërve të Kosovës përmes një reagimi ka kërkuar që të ekzekutohen pagat e mësimdhënësve.
Kurse, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi Ehat Miftaraj, ka thënë se mosekzekutimi i pagave është në kundërshtim me ligjin.
Me situatë të ngjashme ishin përballuar zyrtarët publik edhe muajin e kaluar, mirëpo më 5 shtator Ministria e Financave kishte ekzekutuar pagat për të gjithë punëtorët./Gazeta10