Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rënia e ueb-faqes së KQZ-së ditën e zgjedhjeve, Prokuroria autorizon policinë që të nis hetimet

Gazeta10
11 February 2025 - 12:39

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar nisjen e hetimeve pas problemeve në ueb-faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor pas mbylljes së vendvotimeve.
Nga Prokuroria Themelore kanë theksuar për lajmi.net se në bashkëpunim me institucionet kompetente do të ndërmerren veprime hetimore lidhur me çdo abuzim apo keqpërdorim të votave, pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së ditën e diel.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së uebfaqes së KQZ-së,” është thënë në përgjigjen e Prokurorisë për lajmin.

Ndryshe në ueb-faqen e KQZ-së pati probleme të theksuara. Përpos që shpesh herë ishte krejtësisht jashtë sistemit në disa momente aty dolën rezultate që nuk po arrihen as tani me 99% të votave të numëruara.

Vetëvendosje mori mbi 55% e të tjerat ranë edhe më poshtë.

Serveri i KQZ-së ishte tërë kohës jashtë sistemit, ndërsa në lidhej me këtë kryetari i KQZ-së deklaroi se nuk e di se ku qëndron problemi.

Kreshnik Radoniqi në një deklarim për media tha se për këtë janë njoftuar edhe ekspertët e IT-së, por që nuk e di se çfarë po ndodhë.

Probleme të ngjashme KQZ pati edhe dje, e po vazhdon të ketë edhe sot. Numërimi i votave ka ngecur në 99.17% që nga pasdita e djeshme.

Aty nuk ndryshoi as përqindja e daljes në votime, e as llogaritjet e votave.

Sot parashihet të ketë filluar edhe numërimi i votave për kandidatët për deputetë në kuadër të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pas numërimit të votave të kandidatëve dhe atyre me kusht, pritet që KQZ të filloj edhe numërimin e votave nga diaspora që sipas partive politike në vend do të bëjë edhe një lloj diference në përqindje.

Pavarësisht kësaj shpresat për të krijuar qeverinë si një parti e vetme, i kanë humbur të gjitha.

Mbetet të shihet se kush do të arrijë të bëjë koalicion në mënyrë që të formohet Qeveria e ardhshme e Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.