Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Preteni e humb betejën me “Çohu”, AKK-ja paguan 2000 euro

Gazeta10
05 October 2022 - 14:00

Raporti: Luljeta Beselica/Kanal10

10 vjet i janë dashur Gjykatës Themelore në Prishtinë që të përfundojë lëndën, ku ish kryeshefi i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni kishte ushtruar padi kundër organizatës joqeveritare, ” Çohu”.

Preteni në maj të 2012-s kishte paditur këtë organizatë për shpifje, duke kërkuar dëmshpërblim prej 150 mijë eurosh.

Sipas padisë, Preteni pretendonte se kjo organizatë kishte shpifur që ai kishte mbrojtur 7 deputetë të Kuvendit të Kosovës në atë kohë, të cilët e kishin shkelur ligjin për deklarimin prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë të zyrtarëve të lart publik.

Por, edhe shkalla e parë edhe ajo e dyta i ka rrëzuar pretendimet e ish kryeshefit të AKK-së, Hasan Preteni.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, thotë se Preteni është i obliguar nga Gjykata që t’i paguaj atyre shpenzimet e avokatit.

Ndërsa nga Agjencia Kundërkorrupsion kanë thënë se ky institucion për këtë rast ka paguar nga buxheti i shtetit më shumë se 2 mijë euro.

“Në lidhje me çështjen e adresuar, ju njoftojmë se bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë në vitin 2022 dhe urdhrit të përfundimit të procedurës përmbarimore për të njëjtin rast,  nga buxheti i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) Ministria e Financave ka transferuar shumën 2011.56 € tek përmbaruesi privat.  Rasti në fjalë ka ndodhur në vitin 2012 dhe rrjedhimit APK nuk mund t’i komentojë veprimet e ish zyrtarit të APK-së.”

Ndërsa krejt këtë procedurë të gjykatave, Preteni e ka quajtur drejtësi të vonuar e të dështuar, duke u shprehur i bindur edhe më tej që kjo organizatë ka shpifur kundër tij.

“Drejtësi e vonuar, drejtësi e dështuar. Organizata Çohu ( drejtuesit e tyre) kane shpifur ne lidhje me një veprim të zyrtarëve të Agjencisë. Kanë akuzuar kinse për falsifikim të dokumentit zyrtar. Nuk ka asgjë të keqe nëse ata do të ushtronin kallëzim penal dhe të pritnin epilogun. Ata kanë ushtruar Kallëzim Penal në EULEX dhe të njëjtën ditë në një konferencë për media e kanë “ shpallur aktgjykimin”. Këtë e bëjnë me tendencë dhe kundër integritetit institucional dhe personal. Konferenca realizohet vetëm një ditë pasi  që presidentja e vendit formon Këshillin Kombëtar kundër Korrupsionit, ku njëri nga anëtarët isha edhe unë. Jo korrekte dhe tendencioze”, ka thënë Preteni.

Ai më tej ka shtuar se Prokurori i EULEX-it e kishte mbyllur rastin shumë shpejt pasi që s’ka gjetur asnjë provë.

 “Pas mbylljes dhe pushimit të rastit unë e kam paditur organizatën për shpifje. Jo për kallëzim por për akuzë publike. Kjo organizatë në vazhdimësi ka qenë oponencë e imja sepse në asnjë rast nuk ju kam dhënë informata për rastet që po hetohen. Gjykatave tona ju deshën më shumë se 10 vite me perfundu rastin. Ju shkruani se organizata ka fituar, e pa saktë. Gjykata pohon se nuk ka shpifje por nuk cakton humbës e as fitues”, ka shtuar Preteni. /Kanal10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.