
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka thënë se tema e liberalizimit për Kosovën është në agjendën e grupit punues më 13 tetor.
Ai ka thënë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar një vlerësim Komisionit Evropian lidhur me progresin që e ka shënuar Kosova nga viti 2018 deri tani. Për këtë, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës u ka dërguar një imput prej 33 faqesh KE-së i cili pastaj ka përgatitur një raport rivlerësimi që nesër u shpërndahet vendeve anëtare ndërsa javën tjetër diskutohet në mbledhjen e grupit punues për liberalizimin e vizave.
Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi ka thënë se janë pesë hapa që duhet ndjekur deri të finalizimi i procesit të liberalizmit të vizave derisa ka konfirmuar që Kosova është pjesë e agjendës më 13 tetor.
“Nuk është se ne nuk jemi duke bërë asgjë dhe dikush ka vendosur me na i dhënë vizat si dhuratë, e unë po ju tregoj vetëm hapat, më 13 ka me u nxjerr në votim në grupin e përbashkët për viza dhe nëse këtu kalon mirë shkon faza e dytë ku janë përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare, nëse edhe këtu shkon mirë nisë dialogu ndërinstitucional në mes të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës ku dakordohen për këtë”, ka thënë ai.
Pas kësaj ai ka thënë se duhet të votohet për ndryshim të rregullores ku duhet të futet edhe Kosova ndërsa hapi tjetër është votimi në Parlamentin Evropian.
Ai ka thënë se nuk e vlerësojnë të dobishëm të japin data të caktuara se kur presin që të jepet drita e gjelbër në këtë proces por ka shtuar se pret që hapat të përmbyllen në një kohë relativisht të shkurtë./Gazeta10