
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj shkaktoi reagime të shumta në opinion, teksa mbrëmë deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me çdo qeveri të ardhshme, për sa kohë që ky bashkëpunim është në interes të Kosovës.
Drejtori i Kanal10, Arben Ahmeti ka thënë se me të dhënat aktuale nga numërimet e votave, nga ky koalicion i mundur duhen edhe 10 vota të minoriteteve.
“Në fakt gjithçka çka tha Limaj është që nuk mbështeti deklaratën e Haradinajt (në koalicion AAK-Nisma) i cili kishte thënë se edhe nëse më fton kryeministri Kurti nuk i bashkohem dot. Limaj tha që ne jemi parti të ndara, mund të kemi qëndrime të ndryshme duke e lënë mundësinë që koalicioni VV-Nisma të jetë koalicioni që i bën 61 deputetë. Sipas skenarit aktual VV mbërrin në 47/8 deputetë e Nisma ka 3 deputetë e që i bie 51, me 10 minoritete joserbe do të bënin 61 që janë vota të mjaftueshme për të bërë qeverinë. Me 61 vota është qeveri e shumicës së thjeshtë, pa sigurinë që do të ketë të ardhmen, natyrisht që do të ishte mirë që të nisin negociatat“, deklaroi Ahmeti.
Ai shton se gjendja aktuale pa ndonjë rezultat zgjedhor mund ta dërgoj vendin në kriza të ndryshme institucionale.
“Sa më shumë që ka diskutime për koalicione, aq më mirë, sa më shumë që ka përpjekje për të ndërtuar institucione të qëndrueshme aq më mirë. Urojmë që sa më shpejt të nis procesi i kalimit të një krize të mundshme institucionale. Krizat mund të jenë të ndryshme. Në rast të mungesës së vullnetit për koalicion, do të kemi një varg problemesh“. /Gazeta10
Më shumë detaje: